Albin Kurti: Gjatë luftës në Kosovë, strategjia e shtetit serb ishte fshehja e krimit përmes fshehjes së kufomave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se gjatë luftës 1998-99 në Kosovë, strategjia e shtetit serb ishte fshehja e krimit nëpërmjet të fshehjes së kufomave dhe kjo strategji është ende aktive, transmeton Anadolu. Nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale, Kurti tha se trashëgimtarët e Millosheviqit në Beograd, dikur bashkëpunëtorë dhe sot politikanë në krye të shtetit serb, refuzojnë të hapin arkivat për të zbuluar vendndodhjet e varrezave masive. “Para 10 vitesh, Ministria e Mbrojtjes së Serbisë shpalli sekret shtetëror dokumentet mbi veprimtarinë në Kosovë të Brigadës së Motorizuar të 37-të të Ushtrisë Jugosllave. Ky vendim i marrë më 31 korrik 2014, pengon zbardhjen e së vërtetës së dhimbshme lidhur me vrasjet e civilëve shqiptarë dhe fshehjen e trupave të tyre në varreza masive në Serbi”, shkroi Kurti. Ai tha se kanë dërguar disa kërkesa për hapjen e arkivave të kësaj brigade në bazë të Marrëveshjes së Brukselit të arritur vitin e kaluar. Por, siç thotë Kurti, Serbia s’ka shfaqur asnjë shenjë pendese për mizoritë e kryera e për të cilat konsideron se përbëjnë shkelje të të drejtave të njeriut.

Kontrolloni gjithashtu

Zahrije Podrimqaku, mes lotësh para mediave rrëfen torturat nga gardiania Nadica Cvetkoviq

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca fillestare ndaj të akuzuarës Nadica Cvetkoviq, e …