Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka reaguar pas anulimit të konferencës për media të kryetares së Gjykatës Speciale në Hagë, Ekaterina Trendafilova, e cila ndodhej në Kosovë për një vizitë zyrtare. Konferenca u anulua si pasojë e protestës së organizuar nga veteranët e UÇK-së, që u mblodhën para hotelit ku po qëndronte Trendafilova, për të shprehur pakënaqësinë ndaj saj dhe funksionimit të Gjykatës Speciale. Në një prononcim publik, Haradinaj ka kërkuar që protesta të mos ndalet me kaq, por të përshkallëzohet në një nivel më të lartë dhe të përfshijë tërë organizatën e veteranëve. Nuk duhet me u tut, sepse kemi arsye me thirr protestë, u shpreh ai, duke sinjalizuar vazhdimësi të reagimeve kundër asaj që ai dhe shumë veteranë e konsiderojnë si padrejtësi ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
