Profesori universitar Milazim Krasniqi ka shprehur shqetësimin e tij të thellë për nivelin e mendimit politik dhe intelektual në Kosovë, duke e quajtur atë të mjerë dhe të rrezikshëm për të ardhmen e shtetit. Në një reagim Krasniqi vlerëson se Kosova po shkon drejt një krize të thellë, të shtyrë sipas tij nga qeveria aktuale dhe nga shumica e qytetarëve që nuk janë të vetëdijshëm për rreziqet reale që përballet vendi. Sipas tij, Marrëveshja Ushtarake-Teknike dhe Rezoluta 1244 e OKB-së janë ende në fuqi dhe e kufizojnë sovranitetin e Kosovës. Ai paralajmëron se veprimet e pamenduara mund të çojnë në përplasje me KFOR-in dhe të rigjallërojnë mekanizmat ndërkombëtarë që do të minonin më tej shtetësinë e Kosovës. Krasniqi shton se Kosova nuk njihet si shtet nga organizata të rëndësishme ndërkombëtare si NATO, OSBE apo Bashkimi Evropian, dhe se kriza në veri nuk mund të zgjidhet me forcë apo veprime të njëanshme. Ai apelon për kthim në dialog të ndërmjetësuar nga BE dhe SHBA, duke theksuar se vetëm si faktor stabiliteti, Kosova mund të ketë të ardhme si shtet. Në të kundërtën, sipas Krasniqit, vendi rrezikon të dështojë në planin ndërkombëtar dhe institucional.
