Ejup Maqedonci në Pentagon: Hapet kapitull i ri i bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes me SHBA-në

Ministri në detyrë i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku është pritur në Pentagon nga Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan për NATO dhe Evropë, David Baker, dhe delegacioni i tij. Takimi u zhvillua në selinë e Departamentit Amerikan të Mbrojtjes dhe u cilësua nga Maqedonci si një moment kyç në avancimin e marrëdhënieve strategjike ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. “Në këtë periudhë sfiduese për paqen dhe sigurinë rajonale e ndërkombëtare, me miqtë tanë diskutuam për prioritetet e bashkëpunimit dypalësh për periudhën në vijim”, deklaroi Maqedonci në një postim publik. Ai vlerësoi takimin si hapjen e një kapitulli të ri në marrëdhëniet Kosovë–SHBA në fushën e mbrojtjes. Ministri ishte i shoqëruar nga Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, dhe delegacioni i Kosovës theksoi angazhimin për përmbylljen e fazës së tretë të Planit Gjithpërfshirës të Tranzicionit të FSK-së. Në fokus të diskutimeve ishte edhe zhvillimi i industrisë së mbrojtjes në Kosovë. Sipas Maqedoncit, është arritur dakordim mbi parimet e bashkëpunimit për këtë sektor me potencial strategjik për vendin. “Republika e Kosovës i vlerëson Shtetet e Bashkuara të Amerikës si partnerin kryesor strategjik në ndërtimin e kapaciteteve të mbrojtjes së vendit tonë,” përfundoi ai.

 

Kontrolloni gjithashtu

Mjekët kanë bërë thirrje për kujdes nga ekspozimi ndaj temperaturave të larta

Mjekët kanë bërë thirrje për kujdes nga ekspozimi ndaj temperaturave të larta. Ata kanë thënë …