Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate ka komentuar deklaratat e fundit të kryeministrit Albin Kurti, i cili i quajti deputetët e opozitës “nomadë”. Sherifi e cilësoi Kurtin si “ngucakeq” dhe tha se sjellja e tij nuk është asgjë e re. “Populli e ka një shprehje të mirë që e përshkrun këtë situatë: Zoti Kurti është ngucakeq, s’munet me nejt pa u nguc. Atë deklaratën që e ka pas thënë në fillim, mendoj që nuk ka qenë aksidentale, por ai e ka pas bindjen që përmes diasporës do ta mbyll lojën”, tha Sherifi. Ai shtoi se deklaratat e fundit të Kurtit reflektojnë nervozizëm për shkak të vështirësive që po përballet në sigurimin e numrave për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. “Nëse e mban marrëveshjen me Fatmir Limajn dhe e zgjedh kryetarin e Kuvendit, atëherë i ka 60 mandate. I duhet edhe një për të ecur përpara. Nëse nuk i qëndron marrëveshjes në parim, atëherë ka telashe me 4 mandate të tjera”, theksoi Sherifi.
