Specialja pranon dokumente nga Serbia si prova: Shtohen dyshimet mbi paanshmërinë e gjykatës

Gjykata Speciale në Hagë ka konfirmuar pranimin e disa dokumenteve të dorëzuara nga autoritetet shtetërore të Serbisë si prova materiale në procesin gjyqësor kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky veprim ka shkaktuar reagime të ashpra nga autoritetet më të larta të Kosovës dhe shoqëria civile, të cilët e shohin këtë si cënim të besueshmërisë dhe paanshmërisë së gjykatës. Zëdhënësja e Gjykatës, Angela Griep, sqaroi për Radion Evropa e Lirë se dokumentet janë pranuar mbi bazën e parimit prima facie, që do të thotë se ato mund të kenë rëndësi të mundshme për çështjen, por nuk nënkupton detyrimisht se do të kenë peshë përfundimtare në aktgjykim. Sipas saj, dokumentet janë vlerësuar si autentike nga paneli gjyqësor dhe përmbajnë elemente si datë, vulë, nënshkrim dhe numër protokolli. Ato kanë të bëjnë me periudhën e luftës, nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999, dhe konsiderohen relevante për vlerësimin e ekzistencës së konfliktit të armatosur mes UÇK-së dhe forcave serbe. Megjithatë, mbrojtja e të akuzuarve – përfshirë ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetin Rexhep Selimi – ka kundërshtuar ashpër pranimin e dokumenteve, duke kërkuar që ato t’i nënshtrohen një analize kritike të thelluar për shkak të burimit të tyre shtetëror dhe historikut të përfshirjes së Serbisë në krime dhe dezinformim. Prokuroria e Speciales ka përmbyllur paraqitjen e provave në prill të këtij viti. Procesi aktual ndodhet në fazën e mbrojtjes, ndërsa Kosova ka ndarë mbi 33 milionë euro për mbështetje juridike për të akuzuarit.

Kontrolloni gjithashtu

Analisti, Artan Behrami kritikon Albin Kurtin për veprime populiste

Artan Behrami: Vetëm në regjime totalitare ndalohet takimi i të paraburgosurve me vëllezërit

Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka reaguar ashpër ndaj kërkesës së Prokurorisë së Gjykatës speciale …