Avdullah Hoti: Marrëveshja e Washingtonit do të ndryshonte tërësisht konjukturën ekonomike të Kosovës

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka shprehur keqardhje për faktin që Qeveria Kurti nuk ka insistuar në zbatimin e Marrëveshjes së Washingtonit, e nënshkruar pesë vite më parë në Shtëpinë e Bardhë në praninë e presidentit amerikan Donald Trump. Sipas tij, kjo marrëveshje ka qenë një nga dokumentet më të rëndësishme strategjike për Kosovën, krahas Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit. “Përveç njohjeve signifikante që kemi marrë, marrëveshja e Washingtonit dhe ajo e Stabilizim-Asocimit janë marrëveshjet më strategjike që Kosova ka nënshkruar pas pavarësisë së saj. Është e papranueshme që qeveria aktuale nuk e çoi përpara Marrëveshjen e Washingtonit,” tha Hoti. Ai shtoi se zbatimi i saj do të kishte sjellë përfitime të jashtëzakonshme për vendin, sidomos në sektorin e energjisë dhe infrastrukturës. “Jam i bindur se problemet që sot kemi në energji, nëse kjo marrëveshje do të ishte zbatuar, do të ishin shumë më të vogla. Do të kishte përfunduar projekti i gazit, hekurudha për Durrës, autostrada deri në Merdare dhe lidhja e korridoreve kryesore mes Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ishin projekte multimilionëshe që do të ishin realizuar tashmë, por për fat të keq kjo qeveri nuk i shtyu përpara,” deklaroi ai. Sipas Hotit, këto projekte do të kishin ndryshuar rrënjësisht konjukturën ekonomike të vendit, duke sjellë stabilitet politik, rritje të investimeve të huaja dhe zhvillim të qëndrueshëm afatgjatë.

Kontrolloni gjithashtu

Ramush Haradinaj: Kosova po kalon ditët më të errëta në historinë e saj

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj situatës aktuale politike në vend, duke …