Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, e ka cilësuar si vendimtare dëshminë e ish-diplomatit të lartë amerikan, James Rubin, dhënë në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, para Dhomave të Specializuara në Hagë. Gucati theksoi se fjala e Rubinit shënon një kthesë të rëndësishme në procesin gjyqësor dhe rikthim të tij “në binarë”. “Dëshmia e Rubinit ka qenë dëshmi e fuqishme e një miku të madh të Kosovës. Ai ua ka rikthyer memorien atyre që e kishin harruar faktin se pa UÇK-në nuk do të kishte shtet. Pa këta njerëz që sot janë padrejtësisht të burgosur, nuk do të kishte liri. Me këtë dëshmi, gjithçka është kthyer në rrugën e duhur, sepse deri më tani procesi ka qenë i shtrembëruar nga dëshmitarë që kanë bashkëpunuar ngushtë me gjykatën apo shqipfolës që jetonin në Kosovë, por me mendjen e tyre në Serbi”, tha Gucati. Sipas tij, dëshmia e Rubinit jo vetëm që e fuqizon mbrojtjen e Thaçit, por edhe shërben si kujtesë se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e domosdoshme për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
