NATO për Porto Romanon: Do të shqyrtojmë ofertën e Shqipërisë, e përgëzojmë për investimet në infrastrukturë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, këtë të mërkurë është pritur në selinë qendrore të NATO-s nga Sekretari i Përgjithshëm, Mark Rutte, ku në qendër të diskutimeve ishin projektet strategjike të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Aleancës. Pas takimit, Rama theksoi se një ndër temat kryesore të bisedimeve ishte projekti madhor për ndërtimin e një porti të ri ushtarak në Porto Romano, një nismë që synon të rrisë kapacitetet mbrojtëse dhe strategjike të vendit. “Jemi shumë të interesuar të diskutojmë me ju për hapat e mëtejshëm që mund të ndërmarrim për të bërë të mundur ndërtimin e portit të ri ushtarak në Porto Romano”, deklaroi Rama. Reagimi i Aleancës së Atlantikut të Veriut erdhi menjëherë pas propozimit të kryeministrit shqiptar. Një zëdhënës i lartë i NATO-s, në një përgjigje ekskluzive për Report TV, tha se Aleanca e mirëpret ofertën e Shqipërisë për të ndërtuar infrastrukturë të re dhe të përshtatshme për nevojat e sigurisë kolektive. Shqipëria shihet prej kohësh si një partnere e besueshme e NATO-s, jo vetëm për shkak të angazhimit të saj të vazhdueshëm në misionet ndërkombëtare, por edhe për shkak të vullnetit për të forcuar rolin e saj strategjik në rajon. Ky rol pritet të thellohet më tej pasi vendi ynë është përzgjedhur të organizojë Samitin e ardhshëm të Aleancës Euroatlantike në vitin 2027.

Kontrolloni gjithashtu

Rutte pas takimit me Ramën: Shqipëria, një aleate e palëkundur e NATO-s

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zhvilloi të mërkurën në Bruksel një takim me sekretarin e …