Komandanti i njohur i UÇK-së, Hysni Syla, i cili njihet edhe me nofkën “Daja i vogël”, ka dhënë një deklaratë që ka ngjallur emocione dhe shpresë tek të pranishmit në një tubim të PDK-së në Drenas. Duke folur para qytetarëve, Syla tregoi se gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka marrë një lajm të madh për të gjithë shqiptarët – kthimin e shpejtë në Kosovë të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë. “Sonte e them me përgjegjësi, që tre ditë më parë, në SHBA, mora lajmin e gëzuar se shumë shpejt Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe shoku im Rexhep Selimi do të kthehen në Kosovë”, u shpreh Syla, raporton gazetarja e Klan Kosovës, Altiana Zogaj. Ai tha se ky lajm është një shenjë e qartë se sakrifica e luftëtarëve të lirisë nuk do të mbulohet nga padrejtësia dhe se drejtësia do të dalë në pah. Tubimi i PDK-së në Drenas, ku Syla bëri këtë deklaratë, u shënua nga duartrokitjet dhe emocionet e pjesëmarrësve, të cilët e pritën me entuziazëm lajmin për mundësinë e kthimit të shpejtë të ish-udhëheqësve të UÇK-së në atdhe.
