Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, ka kritikuar qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj zhvillimeve të fundit në raportet Kosovë–SHBA. Ai tha se ndërprerja e dialogut strategjik nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është një sinjal serioz për Kosovën, por sipas tij, LVV po mundohet ta relativizojë këtë situatë përmes propagandës. “LVV e ka propaganduar dhe e ka relativizuar ndërprerjen e dialogut strategjik nga SHBA-ja. Kjo është e rrezikshme sepse dëmton raportet tona me partnerin më të rëndësishëm strategjik”, tha Behrami. Deputeti i PDK-së shtoi se një qasje e tillë e pushtetit përngjan me elemente të doktrinës politike të Serbisë, të cilën e përshkroi me disa pika kryesore. “Nuk pranojnë humbje, i festojnë humbjet e tyre. Bëjnë viktimizim të vazhdueshëm. Serbia bën relativizim edhe të masakrave historike. Ka tendenca për rishkrim të historisë. Marrëveshjet i pranojnë, por nuk i zbatojnë. Po ashtu, konfrontohen me SHBA-të dhe perëndimin, bëjnë politikë me viktima dhe arkivole dhe synojnë dominim mbi të tjerët. Kjo është doktrina serbe”, u shpreh Behrami.
