Në një shenjë të qartë të izolimit diplomatik që po perceptohet në raportet e Kosovës me partnerët rajonalë e ndërkombëtarë, kryeministri Albin Kurti ende nuk e ka uruar homologun e tij shqiptar, Edi Rama, për mandatin e ri qeverisës. Kanë kaluar më shumë se 24 orë nga betimi i Ramës për një mandat të ri, por Kurti nuk ka dhënë asnjë shenjë në rrjetet sociale apo në adresimin e tij gjatë mbledhjes së kabinetit qeveritar, duke shmangur krejtësisht këtë çështje. Kjo sjellje bie në kontrast të thellë me liderët e tjerë botërorë. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ishte ndër të parët që e uroi Ramën, duke vënë theksin te bashkëpunimi për paqe dhe siguri në Evropë, si dhe te procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE. “I uroj kryeministrit Rama çdo sukses në zbatimin e planeve të tij ambicioze për Shqipërinë, përfshirë edhe rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Së bashku, do të përparojmë në vlerat tona të përbashkëta dhe një të ardhme të sigurt e të begatë për kombet tona në Evropë”, shkroi Zelensky. Ky mosveprim i Kurtit ndaj Ramës shihet si një tjetër tregues i marrëdhënieve të acaruara mes dy qeverive, sidomos pas sanksioneve të fundit të SHBA-së ndaj qeverisë së Kosovës, duke e thelluar më tej perceptimin për izolimin ndërkombëtar të Prishtinës.
