Në përvjetorin e rënies së heronjve Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, kandidati për kryetar të Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka ndarë kujtime të fuqishme për figurat që lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë e luftës së Kosovës. Ai rikujtoi momentet e fundit të jetës së tyre dhe betejën e ashpër të 22 shtatorit 1998. Lladrovci tregoi se lajmin e rënies e kishte marrë në Tiranë nga Azem Syla dhe Kadri Veseli. “Fillimisht më njoftuan për rënien e Fehës, por e dija se edhe Xheva do të ishte pranë tij. Ata nuk ndaheshin kurrë”. Ai kujtoi edhe bisedën e fundit me Fehmiun përmes telefonit satelitor, vetëm një natë para ofensivës serbe. “Më tha: ‘Vëlla, forcat serbe vetëm mbi trupin tim mund të kalojnë’. Dhe ashtu ndodhi. Mëngjesin tjetër, mbi 10 mijë forca serbe sulmuan tri pika të UÇK-së në Qiqavicë”, u shpreh Lladrovci. Në rrëfimin e tij, ai përmendi edhe vajzën nga Mitrovica e Veriut, Fatime Hetemi, e cila ishte rekrutuar nga Fehmiu dhe Xheva dhe u bë dëshmorja e parë e asaj beteje. “Ata nuk kishin fëmijë, por e kishin marrë Fatimen si të tyre. Ajo ishte e para që ra”, tha Lladrovci.
