Gazetari dhe opinionisti serb, Dushan Janjiq, ka deklaruar se shteti serb ishte i përfshirë drejtpërdrejt në sulmin paraushtarak në Banjskë të Zveçanit, të udhëhequr nga Millan Radojiçiq. Ai tha për “Nova.rs” se ky aksion kishte për qëllim forcimin e pozitës negociuese të Serbisë në Bruksel, përmes kërkesës për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, ose madje ndarjen territoriale. Sipas tij, ky ishte një “vlerësim i gabuar” i bazuar në iluzione politike, i cili përfundimisht dështoi. Janjiq theksoi se grupi i përfshirë ishte trajnuar në kampet e ushtrisë dhe kishte statusin e shërbyesve vullnetarë ushtarakë. “Kjo e bën edhe më të qartë përfshirjen e shtetit serb”, u shpreh ai. Ai përmendi gjithashtu ndikimin rus në organizimin e këtij sulmi, duke e cilësuar si mbështetje të jashtme të drejtpërdrejtë. Për Radojiçiqin, Janjiq tha se gjykimi i tij kërkon ndryshime të mëdha politike në Serbi. “Ky është një proces i madh dhe i ndërlikuar. Do të gjykohet, por kjo kërkon kohë”, theksoi ai. Sipas tij, fatura e këtij sulmi do të paguhet në fund nga vetë Serbia. Janjiq shtoi se administrata amerikane është e vendosur që procesi të përfundojë, njësoj si hetimi për vrasjen e Oliver Ivanoviçit.
