Kosova pa zë në botë: Qeveria e Kurtit e fut vendin në ngërç historik

Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka ngritur alarmin se zvarritja e ngërçit politik po i kushton rëndë vendit, duke e lënë Kosovën pa “zë të plotë e të besueshëm” në arenën ndërkombëtare. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai ka theksuar se bllokada e institucioneve, që nga Kuvendi e deri te qeveria, po pengon reformat dhe prioritetet jetike të shtetit, nga buxheti e deri te dialogu me Serbinë. Mesazhi i tij është i qartë: të gjitha palët duhet të respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të mundësojnë funksionimin e institucioneve. Në të kundërtën, siç paralajmëroi Hargreaves, zgjedhjet e reja mbeten opsion real. Ky paralajmërim është një shuplakë e fortë për klasën politike në Kosovë, e cila vazhdon të merret me kalkulime pushteti në vend se të tregojë përgjegjësi shtetërore. Në këtë kontekst, qeveria aktuale dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti nuk mund të shmangin përgjegjësinë. Duke vendosur kushte për vazhdimin e dialogut, në vend se të ndërtojë një strategji të qartë shtetërore, Kurti e ka futur Kosovën në një spirale të re bllokadash. Kushti për ekstradimin e Millan Radoiçiqit është i drejtë në parim, por paaftësia për të prodhuar presion real diplomatik dhe koordinim ndërkombëtar po e bën Kosovën peng të deklaratave politike, pa rezultat konkret. Edhe në raport me integrimin e institucioneve paralele serbe, ambasadori britanik e bëri të qartë se zgjidhja duhet të gjendet brenda ligjeve të Kosovës dhe në kuadër të Asociacionit të komunave me shumicë serbe – një çështje të cilën qeveria e ka shmangur me retorikë, por pa plan funksional. Kritikat e Hargreaves zbulojnë një realitet të hidhur: Kosova është duke humbur kohë e kredibilitet ndërkombëtar për shkak të mosfunksionimit të institucioneve dhe mungesës së lidershipit efektiv. Nëse deri më 30 shtator Gjykata Kushtetuese nuk hap rrugën për një zgjidhje të qartë, vendi mund të futet në një cikël të ri zgjedhjesh, duke dëshmuar edhe një herë se elita politike nuk arrin të ndërtojë stabilitet të qëndrueshëm. Përfundimisht, kritika më e ashpër nuk vjen nga opozita, por nga partnerët ndërkombëtarë: Kosova po humb, dhe përgjegjësia bie mbi qeverinë e paaftë për ta nxjerrë vendin nga ngërçi.

Kontrolloni gjithashtu

Serbia nën dyshim për shkelje ajrore me dronë – KFOR mohon, Kosova kërkon vigjilencë

Pretendimet e institucioneve të sigurisë në Kosovë për futjen e dronëve nga territori i Serbisë …