Në Kosovë ka mbetur vetëm edhe një ditë afat që Gjykata Kushtetuese të japë verdiktin për bllokadën politike – këtë herë, rreth zgjedhjes së nënkryetarëve nga komunitetet. Vendim ende nuk ka, ndërsa masat e përkohshme skadojnë nesër. Në këtë ngërç, Vetëvendosje e sheh Kuvendin të konstituuar, opozita akuzon për shkelje kushtetuese, ndërsa Lista Serbe është pala që e çoi rastin në Kushtetuese. Presidentja Vjosa Osmani, në sinkron me retorikën e VV-së, ka paralajmëruar se pas skadimit të masës do ta ftojë partinë fituese për formimin e qeverisë – edhe pse nuk ka ende vendim final. Në anën tjetër, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk kurseu ashpërsinë ndaj gjykatës, duke e akuzuar hapur për pengim të proceseve politike. Por, ja paradoksi: ndërsa vendi pret vendim për të dalë nga bllokada, tri figurat më të larta shtetërore – presidentja, kryeministri dhe ministrja e jashtme – ndodhen jashtë vendit. Në Kosovë ka mbetur vetëm kryetari i Kuvendit, Dimal Basha. Në këtë krizë institucionale, reagimi më i prerë erdhi nga Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves. Ai u shpreh i shqetësuar me sulmet që pushteti po i bën Kushtetueses dhe tha hapur se të gjitha partitë duhet të zotohen publikisht se do t’i respektojnë vendimet e saj. Sipas tij, Kosova po humb çdo ditë – një miliard euro grante dhe hua mbeten të bllokuara, ndërsa Kuvendi nuk po arrin të funksionojë.
