Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hymete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili tha se Kosova renditet në mesin e 30 vendeve më të sigurta në botë për investime, sipas Indeksit Global të Rrezikut dhe Qëndrueshmërisë së Investimeve të publikuar nga organizata Henley & Partners. Bajrami ironizoi renditjen, duke thënë se Kurti ka gjetur një organizatë që e vendos Kosovën përpara Belgjikës, Francës, SHBA-së e Japonisë në qëndrueshmërinë e investimeve, ndërsa realiteti ekonomik, sipas saj, është krejt ndryshe. Ajo akuzoi qeverinë për dështime në menaxhimin ekonomik, duke përmendur rritjen e çmimit të energjisë elektrike deri në 300 për qind për bizneset, dhënien e mbi 3 mijë tenderëve të negociuar, si dhe rritjen e deficitit tregtar në 5.4 miliardë euro. Deputetja e LDK-së tha se gjatë qeverisjes Kurti janë larguar mbi 250 mijë qytetarë, shumica me viza pune, ndërsa investimet kapitale kanë mbetur minimale. “Jemi të vetmit në rajon pa qasje në fondet e Planit të Rritjes të BE-së dhe vendi vazhdon të jetë pa qeveri funksionale”, shkroi ajo. Në fund, Bajrami e ftoi Kurtin për një debat publik, duke i thënë: “Hajde Albin, merri me vete krejt gjenitë që të rrethojnë dhe përballu mu në studio, me argumente për çka i ke bërë ekonomisë.”
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
