Ngërçi politik paralizon Kosovën: Gjysma e institucioneve pa borde aktive dhe pa llogaridhënie

Pothuajse gjysma e institucioneve të pavarura dhe agjencive në Kosovë po funksionon në kushte jofunksionale, për shkak të ngërçit politik pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Borde të pakompletuara po pengojnë vendimmarrjen dhe po rrezikojnë zbatimin e politikave publike, duke lënë qytetarët pa llogaridhënie. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shprehur shqetësim për këtë situatë, duke theksuar se 33 agjenci dhe institucione shtetërore kanë mbetur pa mbikëqyrje institucionale, gjë që ka krijuar vakum drejtues dhe vonesa në vendimmarrje. Instituti i Kosovës për Drejtësi, dhe GAP theksojnë se gjendja nuk është vetëm pasojë e legjislaturës aktuale, por edhe e periudhave të kaluara. Edhe në rast të funksionalizimit të shpejtë të bordeve, vonesat në plotësimin e pozicioneve vakante vazhdojnë të ndikojnë në jetën e qytetarëve dhe në llogaridhënien e institucioneve. Sipas GAP, rreth 70 komisione, agjensione dhe institucione të pavarura varen nga vendimet e ekzekutivit dhe legjislativit për emërimin e anëtarëve të bordeve. Prej tyre, 33 institucione janë ose jofunksionale ose me borde të pakompletuara, duke ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin e shtetit. KDI ka renditur disa nga institucionet më të rëndësishme që po vuajnë nga kjo gjendje: Gjykata Kushtetuese, Organi Shqyrtues i Prokurimit, Institucioni i Avokatit të Popullit, Këshilli Pavarur Mbikëqyrës i Shërbimit Civil, Autoriteti i Pavarur i Konkurrencës, Bordi i KOSTT-it, Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe shumë të tjera, disa prej të cilëve do të përfundojnë mandatet në ditët në vijim, duke thelluar më tej krizën institucionale.

Kontrolloni gjithashtu

Në pritje të Komisionit Evropian: Çfarë do të përfshijë raporti për Kosovën?

Komisioni Evropian pritet të publikojë më 29 tetor paketën vjetore të zgjerimit, përfshirë Raportin e …