Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka marrë një sërë vendimesh për rritjen e pensioneve dhe shtesave për fëmijë, masa që në shikim të parë mund të duken në favor të qytetarëve, por që në fakt janë konsideruar si tejkalim i kompetencave dhe shkelje e qartë e ligjit. Vendimet vijnë vetëm pak ditë para zgjedhjeve të jashtëzakonshme, në një periudhë kur Qeveria e Kosovës ka status të përkohshëm dhe nuk gëzon mandat të plotë ekzekutiv. Pavarësisht kësaj, Kurti ka vazhduar me politika që prekin drejtpërdrejt buxhetin e shtetit – veprime që sipas njohësve të ligjit përbëjnë ndërhyrje të paligjshme në procesin zgjedhor dhe përpjekje për përfitim politik. Në korrik, Gjykata Supreme kishte përcaktuar qartë se një qeveri në detyrë nuk mund të marrë vendime që krijojnë pasoja buxhetore apo politike. Megjithatë, Kurti ka vepruar sikur kjo dispozitë nuk ekziston, duke hapur një debat të ri mbi respektimin e rendit kushtetues dhe ndarjen e pushteteve. Reagime të ashpra kanë ardhur edhe nga partitë opozitare. Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, e ka quajtur këtë veprim “tentativë për mashtrim elektoral”, duke kujtuar se për pesë vite qeverisje, Kurti nuk i ka mbajtur premtimet që tani po i rikthen si premtime të minutës së fundit. Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës e ka cilësuar aktin si “shkelje të rëndë institucionale dhe përpjekje për blerje votash”, që minon integritetin e procesit demokratik vetëm disa ditë para balotazhit dhe zgjedhjeve të reja parlamentare.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
