Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, ka përsëritur qëndrimin e qartë të partisë së tij se nuk do të japë votë për formimin e qeverisë së re. Ai theksoi se PDK mbetet në qëndrimin se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare. Behrami tha se ky qëndrim është bërë i ditur që nga takimi i parë që PDK ka pasur me Presidenten Vjosa Osmani. “Qëndrimi i Partisë Demokratike ka qenë i qartë, është i qartë, dhe është bërë publik në ditën kur kryetari Memli Krasniqi ka qenë pjesë e takimit me presidenten Osmani. Në atë takim është theksuar se Kosova duhet të shkojë sa më shpejt në zgjedhje, për të pasur një ri konfirmim të Parlamentit dhe të Qeverisë së Kosovës”, – deklaroi Behrami. Deklarata e Behramit vjen pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ku kryeministri në detyrë Albin Kurti propozoi Glauk Konjufcën si kandidat për kryeministër të ri, pas dështimit për të siguruar shumicën parlamentare për kabinetin e parë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
