LDK refuzon çdo bashkëqeverisje: “S’ka votë për asnjë qeveri, të shkohet në zgjedhje sa më shpejt”

Lidhja Demokratike e Kosovës, ka bërë të qartë se nuk do të votojë asnjë variant qeverie të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, duke e cilësuar procesin e mandatimit të ri si një taktikë për blerje kohe. Në një konferencë për media, anëtari i Kryesisë së LDK-së, Berat Rukiqi, tha se partia nuk ka marrë asnjë ftesë të re nga i mandatuari Glauk Konjufca, ndërsa ritheksoi se LDK-ja nuk do të bëhet pjesë e asnjë shumice të re parlamentare, pasi nuk ekziston vullnet real politik për formim qeverie. “Asnjë ftesë të re nuk ka. Në asnjë rrethanë s’ka votë për asnjë lloj qeverie që tashmë është vetëm taktikë për të blerë kohë, e jo për të krijuar shumicë serioze. S’ka shumicë politike dhe s’ka marrëveshje politike – LDK nuk jep votë. Presim sa më shpejt që kjo blerje kohe të konsumohet dhe të caktohet data e zgjedhjeve, ku secili e mat veten,” tha Rukiqi. Deputeti Alban Zogaj, i pranishëm në konferencë, theksoi se nuk kanë informacione që Vetëvendosje ka kontaktuar deputetët e LDK-së, as në mënyrë zyrtare e as individuale. “S’kemi informacione për asnjë kontaktim nga LV-ja. Nuk ka pasur qasje institucionale apo individuale,” u shpreh Zogaj. LDK vazhdon të qëndrojë në qëndrimin se zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e reja, ku sipas tyre qytetarët duhet të rikthejnë legjitimitetin institucional.

Kontrolloni gjithashtu

Përparim Rama: Hekuran Murati, boll me lojëra politike, zhblloko buxhetin e kryeqytetit

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar publikisht nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran …