Deputeti i PDK-së dhe ish-ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, ka kërkuar publikisht që Konventa e Partisë Demokratike të Kosovës, ku pritet të zgjidhet kryetari i ri, të shtyhet të paktën deri të dielën e ardhshme. Sipas tij, procesi aktual është tepër i ngutshëm dhe nuk krijon kushte për një garë të hapur, të barabartë dhe përmbajtësore brenda partisë. Një parti serioze nuk mund të mbajë një konventë me rëndësi të tillë në një afat kaq të shkurtër, sidomos pas zhvillimeve të befasishme të ditëve të fundit. Shtyrja do t’i jepte mundësi anëtarëve dhe delegatëve të njihen me kandidaturat dhe platformat, duke rritur cilësinë e konkurrencës dhe hapësirën për debat të brendshëm. “Kjo nguti nuk garanton garë cilësore, as reformimin dhe unitetin e domosdoshëm për PDK-në në këtë kohë. Në partitë demokratike, më shumë se një kandidaturë është mundësi për delegatët që të zgjedhin lirisht dhe ndihmon në pasurimin e platformave.” Ai kritikoi gjithashtu mënyrën se si është menaxhuar procesi deri tani, duke thënë se dorëheqja e kryetarit, e shoqëruar me preferenca për pasuesin, krijon përshtypjen e “skemave të sajuara e të paragjykuara”, që sipas tij e dëmtojnë imazhin dhe funksionimin e brendshëm të partisë. “Unë jam kundër çdo imponimi, kundër çdo tentative për të orientuar garën dhe kundër çdo formule që shpërfill bazën dhe delegatët. PDK-ja ka nevojë për drejtim të ri, jo për skema të vjetra; për vizion të ri, jo për ndërrim rolesh.”
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
