Zyrtari i lartë i PDK-së, Arsim Bajrami, nuk do të jetë më pjesë e strukturave drejtuese të partisë

Arsim Bajrami: DËSHMIA E WESLEY CLARC-E VËRTETA E LUFTËS NË KOSOVË

Gjeneral Wesley Clark, me dëshminë e tij para Gjykatës Speciale, po dekonspiron dhe rrëzon akuzën e padrejtë të ngritur nga kjo gjykatë lidhur me të ashtuquajturën “ndërmarrje e përbashkët kriminale” të UÇK-së. Ai, përmes deklarimeve të tij të qarta dhe profesionale, konfirmon karakterin mbrojtës të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe demanton të gjitha paragjykimet dhe narrativat e pavërteta të përhapura ndër vite nga kjo gjykatë.
Më poshtë po paraqes një fragment nga libri im Konferenca e Rambujesë dhe Intervenimi i NATO-s në Kosovë, ku pasqyrohet dukshëm roli vendimtar i gjeneral Clark në procesin e çlirimit të Kosovës.
Gjenerali i Brigadës së “US Army”, Uesli Clark (Wesley Clark), është figura më rëndësishme në luftën e Kosovës. Ai ka shërbyer si komandant i Komandës së Aleancës në Evropën Perëndimore gjatë luftës në Kosovë dhe ishte pjesë e operacionit NATO të emërtuar “Forca e Veriut”, e cila kryente sulmet ajrore për të mbrojtur popullsinë e Kosovës nga sulmet e forcave serbe.
Roli i Uesli Klarkut në këtë kontekst ishte në koordinimin dhe udhëheqjen e forcave ajrore të NATO-s që kryen sulmet ajrore në mbështetje të popullsisë së Kosovës. Ai ka pasur një rol udhëheqës në udhëzimin e operacioneve ushtarake dhe në sigurimin e mbrojtjes së popullsisë civile nga represionet e forcave serbe. Veprimet e tij në këtë periudhë e bënë të njohur si një luftëtar për lirinë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë gjatë konfliktit në atë zonë.
Ish-komandanti i lartë i NATO-s, Uesli Klark, i cili drejtoi bombardimet kundër forcave serbe në vitin 1999, tha në një intervistë për shërbimin rus të Zërit të Amerikës se bombardimet e ndaluan spastrimin etnik në Kosovë dhe NATO-ja nuk kishte zgjidhje tjetër. Ai tha se përpjekje për ta shmangur luftën në Kosovë ishin bërë që në fillim të viteve të 90-ta, kur Perëndimi u bë i ndërgjegjshëm për gjendjen e rëndë në Kosovë. Atëherë, presidenti Xhorxh H. Bush (George H. Bush) e paralajmëroi presidentin serb Sllobodan Millosheviq se do të përballej me pasoja të rënda nga Shtetet e Bashkuara, nëse fillon spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës, në atë që quhej “Paralajmërimi i Krishtlindjeve”, në dhjetor të vitit 1992.
Gjenerali Klark e përshkroi situatën e rëndë në Kosovë dhe shkeljet e shumta të të drejtave të njeriut nga autoritetet serbe. Ai kujtoi sulmin mbi familjen Jashari në fshatin Prekaz të komunës së Skenderajt, në Kosovën qendrore, në fillim të vitit 1998, ku u vranë 54 anëtarë të familjes, që shënoi edhe fillimin e luftës së armatosur. Më tej, ai deklaroi: “NATO-ja lëshoi një paralajmërim në takimin e ministrave në muajin maj dhe pastaj unë mora detyrën të përgatisja planet në maj të vitit 1998. Ambasadori Riçard Hollbruk shkoi në qershor dhe u takua me Sllobodan Millosheviqin. Ai më lidhi në telefon me të dhe i thashë “Të lutem, mos ua bëj këtë shqiptarëve! Ai më tha, gjenerali Clark, ata janë njerëzit e mi dhe nuk do t’i lëndoj. Por, sigurisht kjo ishte një gënjeshtër, sepse spastrimi etnik tashmë po ndodhte”.
Ai tha se kishin vazhduar paralajmërimet dhe në vjeshtën e vitit 1998. Kombet e Bashkuara e miratuan Rezolutën 1199 të forcuar më planin e veprimit të NATO-s. Përpjekjet e të dërguarit amerikan Kristofer Hill nuk dhanë rezultate, ndërsa pas Masakrës së Reçakut, një fshat në jug të Prishtinës, ku u vranë 45 civilë shqiptarë, filloi procesi i negociatave në Rambuje. “Atje Serbia refuzoi ta nënshkruajë marrëveshjen që i jepte Kosovës vetëqeverisje thelbësore dhe parashihte vendosjen e trupave të NATO-s në terren për të siguruar zbatimin e marrëveshjes. NATO-ja pas spastrimit të ri etnik të shkallës së gjerë në mars të vitit 1999, nuk pati zgjidhje tjetër përveç ndërhyrjes”, vijoi ai.
“Ne përdorëm forcën vetëm si zgjidhjen fare, fare të fundit. Por, NATO-ja nuk mund të lejonte një raund të ri të spastrimit etnik nga serbët. Sapo kishim ndaluar një gjë të tillë në Bosnjë dhe nuk mund të lejonim një gjë të tillë të ndodhte sërish në Kosovë dhe prandaj u përgjigjëm me forcë, pasi provuam të gjitha mundësitë e tjera. Dhe, pasi që rusët refuzuan të ndihmojnë. Pikëpamja ruse ishte se kjo është çështje e brendshme serbe dhe nëse ata duan të vrasin një milion njerëz, kjo është e drejta e tyre. Por, kjo nuk është pikëpamja jonë. Ne besonim në të drejtën e çdo individi që të ketë liri dhe dinjitet në pajtim me Deklaratën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut dhe nuk mund të lejonim që tragjedia njerëzore ta godiste sërish Kosovën”.
Gjenerali Klark i hodhi poshtë pohimet ruse, sipas të cilëve ka pasur shumë të vrarë nga bombat e NATO-s dhe ndërhyrja e saj ishte e paligjshme dhe e padrejtë. Ai përmendi faktin se para se të goditej ndërtesa e Radiotelevizionit të Serbisë, Sllobodan Millosheviqi ishte paralajmëruar në mënyrë që të shmangeshin viktimat. “Ideja nuk ishte të vriten njerëzit, por të ndërpritej spastrimi etnik në Kosovë, që po e kryenin trupat e tij dhe ai nuk mund t’i shmangej përgjegjësisë”. Ai përmendi fshehjen e trupave të shqiptarëve të vrarë, përfshirë edhe zbulimin e kamionit frigorifer me trupat e shqiptarëve në Serbi. NATO-ja, tha ai, bëri gjënë e duhur, ndaloi spastrimin etnik.
Gjenerali Uesli Klark ka rrëfyer gjatë një interviste në emisionin “Opinion” takimin e tij me Millosheviqin lidhur me çështjen e Kosovës. Ndër të tjera, ai ka treguar takimin me ish-presidentin serb në vjeshtën e vitit 1998, duke dhënë këto fragmente nga diskutimi i tij me Millosheviqin, i cili atij i kishte thënë: “Gjeneral Klark, dimë ne si të sillemi me këta shqiptarët, këta vrasësit, përdhunuesit, kriminelë si vetë ata. E kemi bërë edhe më parë. I vramë. I vramë të gjithë.” Më tutje, Millosheviqi i kishte thënë Klarkut: “Gjeneral, nëse ju na lini, ne do t’i vrasim të gjithë ata. I vramë në ’46-ën. Na u desh shumë kohë, por i vramë të gjithë.”
Ky kërcënim filloi të zbatohej kur 1.4 milionë shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre, 900 mijë ikën në Maqedoni dhe në Shqipëri, 500 mijë fshiheshin pyjeve të Kosovës. Serbët po i ndiqnin dhe po përpiqeshin t’i vrisnin. Më tutje, Klarku shtoi se “ne i dhamë fund tërë kësaj dhe jam krenar për atë çfarë bëri NATO-ja”. Ishte vizita e treta që bëra në Beograd, pasi NATO-ja nxori urdhrin e aktivizimit, “Activation Order”, shtator, 1998. Në vizitën e parë, gjeneral Naumani i kërkoi Millosheviqit të tërhiqte forcat shtesë. Solana i tha, po ashtu. Millosheviqi u mundua ta mohonte që ato forca ishin atje. Nuk u tërhoqën. Në vizitën e dytë, i udhëzuar nga Shtëpia e Bardhë, shkova ta takoja Millosheviqin dhe i thashë se do ta bombardonim, nëse s’i tërhiqte ato forca. Tha, në rregull, fol me gjeneralët e mi! Kur flisnim me ta, thoshin se ka terroristë këtu, këtu e këtu dhe na e tregonin me gisht hartën. U thosha se ishin thjesht njerëz që mundohen t’i mbrojnë familjet e tyre. Sa herë të vrisni, do të bëni më tepër armiq. Nuk mund të fitoni me këto taktika. Jo, nuk dëgjonin ata.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …