Sadik Halitjaha: Analizë mbi shkrimin e Besim Qeriqit më 17 nëntor 2025, dhe reagimin e Dilaver Goxhajt ndaj RKL-së

Dilaver Goxhaj, me gjithë respektin e veçantë për ty o çlirimtar, ja ke huqë me reagimin tënd, sepse ju aspak nuk e keni drejtuar reagimin ndaj shkrimit të Besim Qeriqit, i cili fund e krye ishte i bazuar në librin e Wesly Clark – “Si të bësh luftë moderne”.

Si dhe Besimi kishte interpretuar deklaratat e dëshmitarëve mbrojtës, si të James Rubin e të tjerëve, të cilët kishin thënë ato vërtet që i kishte shkruar Besim Qeriqi. Ky nuk kishte nxjerrë përfundimin se këto ishin edhe mendime të tija, por të dëshmitarëve si të atyre që kishin dëshmuar dhe ajo që pritej të dëshmonte Clarku! Sa i përket përmbajtjes së shkrimit të Besim Qeriqit, kaq kishte në përmbajtje!

Ti edhe unë mund të kemi mos-pajtime me ato që u thanë e po thuhen në Gjykatën Speciale në Hagë! Por nuk duhet të mendojmë ndryshe, pos lirimit nga burgu të bashkëluftëtarëve tanë!

Qëndrimi yt i mospajtimit që s’ka pasur strukturë komandimi dhe nuk ka funksionuar zinxhiri komandues lart poshtë, është e drejtë të mos pajtohesh, por këtë se konstaton Besim Qeriqi, ky veç ka interpretuar dëshmitë! Këtu s’kam çka të shtoj as për atë, as për ty!

Besim Qeriqi nuk asht i familjes Qeriqi as ndonjë i njohur për këtë familje, që ju ta sulmoni si familjar! Por si duket, paske qenë i mbushur me energji negative kundër stafit të RKL-së, dhe familjes Qeriqi, e këtu e ke keq, dhe nuk ke të drejtë fare!

Reagimi yt nuk ishte veç i gabuar në kohë, por edhe në adresë jo të duhur! RKL është veç paraqitja e këtij shkrimi, siç i ka paraqitur shumë herë shkrimet tua dhe të mijat!

Konstatoj se reagimi, shkrimi yt, më shumë ishte shprehje e një mllefi dhe një përbuzje e RKL-së, me thirrje të çuditshme sikur RKL, na qenka anti-kombëtare, si dhe je thirrur në të ndjerin Ahmet Qeriqi ish-drejtor i RKL-së, edhe aq veç që e ke përmendur shumë e ke fyer.

Ti je një bashkëluftëtar i respektuar si dhënës i kontributit të madh profesional në luftë!

Por duhet të jesh i vetëdijshëm se nuk ishe as nuk je arbitër i luftës dhe i rregullimit të situatave pas lufte, nuk mundësh ta marrësh nën patronazhin tënd personal as luftën e pas luftën!

Ti kur flet sikur s’paska devijuar stafi i RKL nga ai që ishte gjatë lufte, si dhe kur thua se nuk duhet të menaxhohet nga stafi ku ka familjar të ish-drejtorit Ahmet Qeriqi, kjo s’ka logjik kur dihet se familjarët e tij ishin edhe luftëtarë! Shtrohet pyetja, si në luftë po bëheshin tre e më shumë anëtarë, e në stafin e RK-së, po shihen nga ana jote familjar dhe privat!

Cilat Radio e TV. qenkan publike dhe kombëtare sipas teje? Ti nuk ke kurrfarë të drejte me thirr për shuarjen e këtij mediumi, ose të kalojë, siç sugjeron, në menaxhimin e veteranëve të luftës!

E di se edhe ti e di që këtë medium po e menaxhojnë luftëtarët, bile edhe sot që janë luftëtarë, krahasuar me mua e ty, këta vazhdojnë, e neve që na duket se kemi bërë shumë dhe tani pushojmë e kërkojmë merita për ato që kemi bërë në luftë!

E kam ndier këtë fakt se ke deklaruar në media se të ka mohuar njohja e veteranit-luftëtar, kjo më bën të ndihem keq, dhe ti urrej kushdo që ta ka mohuar!

Unë kam shkruar se turp është për pushtetarët e Kosovës si i kanë trajtuar luftëtarët nga Shqipëria dhe sidomos janë të turpëruar me oficerët e karrierës, si që ishit ju, Adem Shehu, Arqile Maando, Spiro Butka, Bardhi e tjerë! Në këtë pikë keni gjithë të drejtën!

Por sulmi që i bëni RKL-së, më bën të mendoj se mund të ka burimin të thellë në mendjen dhe zemrën tuaj! Nuk dua aspak të dyshoj se je i shtyrë nga dikush, aq më pak se punoni për dikë kundër këtij mediumi!

Por mendoj, miku im bashkëluftëtar Dilaver, ke pak egoizëm të tepruar që don të të njihet supremacioni karshi të tjerëve, në këtë rast ke treguar pretencë karshi RKL-së!

Çlirimtar, nuk kemi të drejtë të i kërcënojmë, nënvlerësojmë, aq më pak stafin e një Radio të shenjtë të luftës dhe të kërkojmë shpërbërjen e saj, derisa e vetmja është e nivelit të vlerave kombëtare, që askush më mirë se kjo nuk po e përcjellë amanetin e dëshmorëve dhe traditën e luftëtarëve, si dhe kultivimin me patriotizëm e vlera kombëtare!

Nëse ti ke diçka personale thuaj dhe unë do të jem ndërmjetës që ju pajtoj!

Ndërsa, nëse po e kryen porosinë e pushtetit aktual, lëri, vëlla, ata ta bëjnë!

Diçka që duhet ta kuptojnë të gjithë: RKL u mbrojt me luftë, me gjakun e dëshmorëve të ZOP, njësoj do të mbrohet nga të njëjtit luftëtarë të kësaj Zone deri sa të jemi gjallë!

O çlirimtar, sa i përket UÇK-së, ishte apo jo ushtri, kishte apo jo struktura, do të jemi bashkë, por më vonë! Mos u ngut, se nuk ka hajër tani! Pra, ty mos të u prit vepro, por nuk fiton asgjë dhe nuk i bën mirë atyre me duar lidhë!

Do të kesh kohë për t’i thënë atë që duhet kur duhet të gjitha, jo tani!
Më ka ardhur mirë edhe keq intervista kur e bëre në TV – Dritare. Mirë që je dëshmitar i gjallë dhe mund të i thuash të gjitha! Keq që ishe dobësuar nga emocionet dhe këto që po i thua nuk po i bën në kohën e duhur! Je para kohe dhe i dëmton ata që nuk duhet dëmtuar!

Por ti i ke qëndrimet dhe mendimet tua, unë nuk kam të drejtë t’i imponoj mendimet e mia! Shpresoj që nuk po të imponojnë edhe të tjerët (pushtetarët aktualë).
Respekt për luftën dhe ardhjen në kohën më të vështirë në luftën e Kosovës!

Të lutem, mos e merr të tërë në patronazhin tënd, se pse nuk të bën nder! Në fund të fundit luftën ja kemi pas borxh atdheut! RESPEKT!

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …