Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Haki Abazi, ka kritikuar ashpër Lëvizjen Vetëvendosje për moscertifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025, duke e konsideruar këtë një veprim populist dhe të pajustifikuar ligjërisht. Abazi tha se Kryeministri në detyrë Albin Kurti është i vetëdijshëm se nuk ekziston bazë ligjore për të ndaluar certifikimin e kësaj liste, dhe se veprimi i tij po dëmton jo vetëm vetveten, por edhe reputacionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. “Veprimet e LVV-së nuk janë të bazuara në ligj, por duket si një taktizim populist-elektoral. Kosova është një shtet që duhet të veprojë sipas ligjit dhe vendimeve ligjore. Deri më tani nuk ka asnjë bazë ligjore për ndalimin e certifikimit të Listës Serbe, dhe kjo gjë do të zgjidhet përmes instancave përkatëse,” tha Abazi. LVV ka pasur mundësinë për të ndjekur rrugën ligjore, duke ngritur aktakuza nëse ka pasur shkelje të dyshuara nga Lista Serbe, por se partitë politike nuk mund të zëvendësojnë gjykatat dhe të bëjnë ligjin vetë, duke shkelur ndarjen e pushteteve. Moscertifikimi i Listës Serbe nga KQZ më 2 nëntor nxiti reagime ndërkombëtare, ku Ambasada e SHBA-së e konsideroi këtë veprim “shkurtpamës dhe përçarës”, ndërsa Zyra e BE-së dhe ambasadorë të tjerë, përfshirë atë britanik dhe gjerman, paralajmëruan se politizimi i procesit zgjedhor mund të dëmtojë reputacionin e Kosovës dhe marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
