Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Kjo gjuhë komunikimi nuk prodhon kulturë, progres, por vetëm armiqësi e mjerim!

Ka kohë që përpiqem ta shpjegoj  gjuhën e komunikimit, në mënyrë të veçantë, gjuhën parlamentare të zgjedhurve të popullit, të atyre që e përfaqësojnë pozitën si dhe të atyre, që përfaqësojnë opozitën. Në shikim të parë, kur njeriu dëgjon debatet në mes të pozitës dhe të opozitës shqiptare, e krijon përshtypjen se është duke dëgjuar përfaqësues të dy kombeve, të armiqësuar ndër dekada dhe që nuk synojnë ta gjejnë as edhe një fije interesi që i bashkon! Vërtet, një armiqësim i tillë, jo vetëm që nuk i duhet kombit brenda tij, një kombi që synon progresin, zhvillimin, mirëqenien kombëtare e shtetndërtimin për sigurinë kombëtare, por kjo gjuhë është shumë e dëmshme edhe po qe se përdoret edhe në mes kombeve fqinje, që edhe mund të kenë pasur mes tyre shekuj armiqësie. Gjuha, në rend të parë është mjet komunikimi e mirëkuptimi në mes të njerëzve që flasin të njëjtën gjuhë, por që gjithherë, në të gjitha kohërat historike ka qenë nevoja, që nga krijimi i gjuhëve që njerëzit (përfaqësuesit e popujve të ndryshëm), të gjejnë gjuhën e përbashkët të komunikimit, të marrëveshjeve e të mirëbesimit. Deri sot, cilitdo popull a komb që i është dashur progresi shoqëror e ekonomik, asnjëherë nuk iu ka mjaftuar vetvetja e më se paku në kohën e globalizmit.

Qëllimi i këtij shkrimi nuk është që të merrem me historinë e komunikimit në mes kombeve të ndryshme të botës, por të shkruaj për kulturën e komunikimit të folësve të gjuhës shqipe në institucionet e shteteve shqiptare, përfshirë dhe institucionin më të lartë përfaqësues, siç janë Kuvendi i Shqipërisë dhe ai i Kosovës, si dhe komunikimi jashtë parlamenteve tona, në mes të përfaqësuesve të pozitës e të opozitës, kudo ku ajo shfaqet. Kjo formë e komunikimit që e dëgjojmë dhe e shohim përditë në medie të ndryshme të shkruara (shtypura) e elektronike, ekrane televizive, etj. nuk prodhon as kulturë e as progres, prodhon armiqësi e shkatërrim, prapambetje e mjerim!

Si shkas për t’u marrë me ketë çështje, është deklarata e një përfaqësueseje të pozitës për një parti opozitare. Deputetja i thoshte një partie opozitare se ishin “fundërrina”! Term tepër i përgjithësuar! Nëse një parti opozitare mund të cilësohej si “fundërrinë”, cili ishte dallimi i partisë së saj nga “fundërrinat” e një gjuhe e të një gjaku, të një kulture e të një vendi?

Shikuar realisht, kjo nuk është ndonjë risi në komunikimin tonë të përditshëm, madje jo vetëm në mes pozitës e opozitës! Pa asnjë dyshim, kjo nuk është as gjuha më e ashpër që kemi dëgjuar e dëgjojmë, por është e ashpër në kontekstin që është thënë. Kjo gjuhë komunikimi, që dëgjohet shpesh në kuvendet shqiptare, behet e papranueshme dhe e padurueshme për faktin se nuk i ndihmon daljes së duhur nga gjendja që po rrezikojmë të futemi. Populli e ka një urti, e cila thotë: “Sipas vendit kuvendi”. Tek ne, jo vetëm tani, por sidomos tani, nuk është as koha, as vendi e as kuvendi, për komunikime që nuk i ndihmojnë zgjidhjes që e kërkon interesi i kombit dhe i vendeve tona, vende që kanë shumë probleme serioze me ligjin, progresin e zhvillimin.

Me këtë që thashë, nuk kam ndërmend që t’i frenoj  idetë e kundërta e as dialektikën e të kundërtave, se pa ide të kundërta e kundërshti, bota nuk do të ishte zhvilluar në këtë nivel, por edhe idetë e kundërta me kundërshtitë e tjera dialektike, mund të thuhen dhe duhet të thuhen me kulturë, edukatë e fjalë të zgjedhura, që thonë shumë e nuk shkaktojnë lëndime tek ata që u adresohen e as tek ata që i dëgjojnë.

Secila gjuhë në fjalorin e saj ka fjalët e ashpra, por i ka edhe fjalët që e zëvendësojnë edhe ashpërsinë dhe e intelektualizojnë gjuhën e përdoruesit. Gjuha e ashpër, që thuhet në rrugë në gjendje afekti, prodhon grushte e ne përditë po dëgjojmë se po shkrepen dhe plumba, po humbasin jetë të shtrenjta të të rinjve tanë.

Secili nga ne, që i dëgjon lajmet e përditshme, dëgjon jo pak lajme nga kronikat e zeza dhe ato kronika e kanë një bazë, gjuhën jonormale të komunikimit ose shprehjet e pakontrolluara të thëna në afekt. Prandaj, është më se e domosdoshme që politika e jonë të ndahet njëherë e mirë nga gjuha e rrugës. Zakonisht gjuha e rrugës hynë në institucione kur njerëzit humbasin arsyen, apo iu mungojnë argumentet. Forca kurrë nuk ka qenë dhe nuk mund të jetë argument. Në politikë, aty ku do të ishin të urtit e popullit, argumenti është forcë!

Duke përfunduar, dua të them se gjuha e “të urtëve” të kombit, e përdorur në Tempujt e Demokracisë që 25 vjet në Shqipëri e Maqedoni dhe 15 vjet në Kosovë, nuk arritën t’i konsolidojnë shtetet, sistemet e drejtësisë e të sigurisë, zhvillimin ekonomik e perspektivën për punë e jetë të dinjitetshme, arsimin në përgjithësi dhe arsimin e lartë në veçanti si dhe shëndetësinë publike, ambientin dhe planifikimin hapësinor, mediet profesionale dhe komunikimin publik. Përkundrazi, degjeneruan gjithçka: gjuhën shqipe e komunikimin masiv, kulturën e traditat e bukura kombëtare, mirësjelljen e mirëkuptimin ndërnjerëzor. Mikpritjen dhe besën shqiptare i kthyen në armiqësi e pabesi, çdo interes kombëtar e kthyen në babëzi personale! Përderisa kombit shqiptar perspektivë të vetme ia lanë ikjen nga Atdheu! E çka t’iu themi të gjitha këtyre gjërave të bëra kaq mbrapsht?

Kjo gjeneratë politikanësh që kombin e solli në ketë gjendje të pa perspektivë e me shpresa të thyera, nuk mundet dot ta kalojë vetveten! Duhet një gjeneratë e re politikanësh, që idealet e përmbysura të kombit t’i kthejë për së mbari! Ky ndryshim mund të bëhet vetëm përmes një mobilizimi të jashtëzakonshëm të potencialit të madh intelektual dhe profesional që ka Kosova e që fatkeqësisht kanë mbetur të margjinalizuar nga bartësit mediokër të institucioneve shtetërore  dhe partiake. Kam shpresa të mëdha se demokracia do të ngadhënjej mbi të gjitha format e diktatit dhe nënshtrimit. Rruga e lirisë së plotë nuk ndalet!

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …