Profesor Ruzhdi Jashari, reporter i luftës së UÇK-së, ka paraqitur kumtesën e tij në Konferencën e FISH për 27-vjetorin e Masakrës së Reçakut, me temën “Mohimet serbe të krimeve dhe destabilizimi për Ballkanin”. Ai ka theksuar se Serbia vazhdon të investojë miliona euro në diplomaci, filma dhe dokumentarë për të mohuar krimet e saj ndaj shqiptarëve, duke përfshirë edhe Masakrën e Reçakut. Sipas Jasharit, propaganda serbe synon të stigmatizojë shqiptarët dhe të krijojë dezinformim global, ndërsa mbetet një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë në Gadishullin Ilirik. Jashari rikujton rolin vendimtar të misionit të OSBE-së dhe të ambasadorit William Walker, që dokumentuan të vërtetën për Reçakun, duke shkatërruar narrativën serbe se viktimat ishin “terroristë të UÇK-së”. Ai thekson se mohimi i këtyre krimeve para opinionit ndërkombëtar është një krim i dyfishtë, pasi ndikon tek të mbijetuarit, viktimat dhe mendjet e miliona të rinjve në botë. Në kumtesën e tij, Jashari lidhi mohimin serb të krimeve me përpjekjet për të minuar NATO-n dhe Pavarësinë e Kosovës, ndërsa thekson se ndërhyrja ndërkombëtare dhe sakrifica e UÇK-së çuan në pavarësinë e vendit. Ai përfundon duke paralajmëruar se edukata nacional-shoveniste dhe diskursi i mohimit nga Serbia mbeten një kërcënim për stabilitetin e rajonit dhe të ardhmen e Ballkanit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
