Familjarët e të ndaluarve në Prizren ankohen në KMDLNJ për kushte të ndalimit dhe shkelje të privatësisë

Familjarët e disa prej personave të ndaluar në Prizren, të dyshuar për manipulim me vota, kanë paraqitur ankesa në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), duke pretenduar shkelje të të drejtave gjatë ndalimit dhe trajtimit të tyre nga institucionet kompetente. Sipas familjarëve, të ndaluarit kanë mbetur për disa orë pa ushqim dhe pa ujë, ndërsa njëra prej të ndaluarave ka pësuar lëndime në duar nga prangat plastike, gjatë dërgimit në seancën dëgjimore për masën e sigurisë në Gjykatën Themelore të Prizrenit. Rasti ka kërkuar edhe ndërhyrjen e ekipeve emergjente. Burime brenda gjykatës e kanë konfirmuar incidentin për Dukagjinin, ndërkohë që Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren nuk ka dhënë përgjigje lidhur me rastin. Numri i madh i të arrestuarve ka bërë që policia të mos ketë pranga të mjaftueshme metalike, ndaj janë përdorur pranga plastike. Gjithsej 23 persona të arrestuar për manipulim me vota janë dërguar të shtunën në Gjykatë për seancën dëgjimore lidhur me masën e sigurisë. Disa nga të ndaluarit janë mbajtur përkohësisht në Qendrën Korrektuese në Lipjan, për shkak të mungesës së kapaciteteve në Prizren.. Kryetari i KMDLNJ-së, Behxhet Shala, ka bërë të ditur se institucioni ka pranuar ankesa nga familjarët, të cilat lidhen me mungesën e ushqimit, mungesën e ujit dhe hapësirat e ngushta, si dhe me publikimin e emrave dhe fotografive të personave të ndaluar. “Publikimi i të dhënave personale dhe fotografive të personave të ndaluar para fillimit të procedurave është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut dhe privatësisë, dhe është i ndaluar me ligj,” ka thënë Shala.

Kontrolloni gjithashtu

Ramush Haradinaj: UÇPMB-ja, që para 26 vjetësh nisi përpjekjen për liri

UÇPMB-ja, që para 26 vjetësh nisi përpjekjen për liri, është dëshmi e pathyeshmërisë së shqiptarëve …