Bedri Halimi: DISA FJALË RRETH DISA PASAKTËSIVE TË ANALIZËS SË AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË KOSOVËS

Bedri Halimi: SI U REALIZUA ETNOCIDI NË KOSOVË?

Sipas një vendimi të Parlamentit të Kosovës më 23 mars 1989, para të cilit parlamentarët u kërcënuan jashtëzakonisht shumë njerëz, Kosovës iu hoq edhe formalisht autonomia. Gjatë votimit parlamenti ishte i rrethuar me tanke, helikopterë dhe aeroplanë luftarakë. Në votim morën pjesë edhe njerëz që nuk ishin parlamentarë, dhe numri i saktë i votave nuk u numërua.
Heqja me dhunë e Autonomisë së Kosovës ishte hapi i parë i madh i Serbisë drejt shkatërrimit të Jugosllavisë dhe ndërtimit të një shteti të ri nën sundimin serb.
Mst: Largimi kolektiv i shqiptarëve nga puna
Më qartë duket kjo në fushën e ekonomisë. Në Kosovë si në gjithë Jugosllavinë, të gjitha ndërmarrjet e mëdha ishin “Organizata të punës së bashkuar”, një lloj ortakie. Pronar ishte kolektivi i punonjësve të ndërmarrjes, i cili duhet të vendoste edhe mbi largimet nga puna. Qysh para vitit 1989 merreshin në punë me preferencë joshqiptarët. Kështu në marrëdhënie pune ishin 59 mijë serbë dhe vetëm 164 mijë shqiptarë. Pas heqjes së Autonomisë së Kosovës, parlamenti i Serbisë miratoi një ligj mbi marrëdhëniet e punës në raste të veçanta. Ky ligj vepronte vetëm në Kosovë dhe u lejonte drejtorëve të organizatave t’i pushonin nga puna punonjësit me vendimin e tyre personal. Veç kësaj, në ndërmarrje të veçanta të Kosovës mes viteve 1990-1992 u morën 371 vendime mbi “masa të përkohshme për mbrojtjen shoqërore të të drejtave të vetadministrimit”. Këto vendime hoqën organet drejtuese të zgjedhura të deriatëhershme dhe ia kaluan të gjitha të drejtat personave serbë të emëruar si “organe të përkohshme”. Këto “organe të përkohshme” kishin të drejtën të vendosnin mbi “marrëdhëniet e statusit dhe të punës” dhe “shpërndarjen e të ardhurave personale”. Mbi këtë bazë u pushuan nga puna mbi 145 mijë shqiptarë. Shumicës prej tyre iu morën edhe banesat, të cilave iu dhanë personave serbë.
Si përvetësoheshin pasuritë e Kosovës nga serbët?
Sipas të dhënave të ministrit serb të industrisë, u përgatitën për privatizim rreth 253 “ndërmarrje të mbajtura nga shoqëria” (90 % e ekonomisë së Kosovës). Rreth 1/3 u shit me kushte të volitshme vetëm serbëve të punësuar. Firmat e mëdha iu shitën gjithashtu blerësve të huaj (Telekomi serb i cili ka përvetësuar edhe atë të Kosovës, iu shit një firme italiane dhe një firme greke, miniera e Trepçës firmës greke Mytilneos, pjesë të Feronikelit Thyssen-it etj.). Kështu përvetësoheshin firmat e Kosovës dhe pasuritë nëntokësore nga serbët. Firmat e vogla shqiptare, artizanati, tregtia etj., gjendeshin vazhdimisht nën trysninë e policisë financiare dhe të autoriteteve të tjera serbe. Suksesi i këtyre masave ishte i vogël. Rreth 14. 000 kolonistë serbë kanë ardhur derisa atëherë në Kosovë, 2/3 e tyre e kanë lëshuar përsëri, për shkak të varfërisë që mbizotëronte në Kosovë. Në këto rrethana pasuroheshin pushtetmbajtësit dhe policia serbe.
Mst: Shkatërrimi i Universitetit…
Serbia i ka pushuar nga puna pothuaj të gjithë shqiptarët në administratën shtetërore, drejtësi, shkolla, universitete dhe spitale sipas legjislacionit të ri serb vetëm serbishtja njihet si gjuhë zyrtare. Në Universitetin e Prishtinës, më parë, i vetmi universitet jugosllav ku mësimi zhvillohej edhe në gjuhën shqipe, tashmë flitej vetëm serbisht. Në bibliotekën e Universitetit u shkatërrua koleksioni i madh, i pazëvendësueshëm i librave në gjuhën shqipe, u riciklua si letër e vjetër. E njëjta gjë ndodhi edhe me biblioteka të tjera.
Deri më tani Jugosllavia ka pasur gjerësisht monopolin e forcës:
1 policinë
2 drejtësinë serbe dhe
3 ushtrinë
Nga viti 1990-1997 u vranë mesatarisht çdo muaj nga 1-3 shqiptarë nga policia serbe. Vazhdimisht kishte kontroll të shtëpive, arrestime, tortura, plaçkitje. Përndjekja e shqiptarëve nuk u kufizua vetëm në Kosovë, por edhe në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë. Gjatë luftës nga serbët janë shkatërruar vazhdimisht të parat pasuritë e shqiptarëve. Pak shqiptarë i kanë mbijetuar kampeve të përqendrimit atje.
Mst: Si u bë dislokimi i forcave dhe radhitja e njësiteve serbe?
Me përfundimin e luftës në Bosnjë e Hercegovinë, forcat e armatosura të ish-Jugosllavisë iu qasën menjëherë përgatitjeve për luftë në Kosovë. Me urdhëresën e Shtatmadhorisë së armatës jugosllave, filloi dislokimi i njësive në vendmobilizime. Në kazermat ushtarake mbetën vetëm njësitë e rojës dhe një pjesë e njësive të logjistikës.
Në këtë periudhë në kazermat e ushtrisë jugosllave vendosen njësitë policore:
3 Njësitë e rregullta
4 Njësitë e veçanta dhe
5 Njësitë për operacione të veçanta
Njësitë për operacione të veçanta, prej vitit 91 dhe numri i tyre sipas disa informatave arrin 8 000. Këto njësi të lartpërmendura legalizohen në Serbi me urdhëresë të sigurimit shtetëror (sekret shtetëror 01. nr. 992/96-2 të datës 5. 04. 1966). Këto njësi në Kosovë kanë qenë gjithnjë nën komandën e Ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë.
Mst: Njësia për operacione speciale ka pasur për detyrë bastisjen, plaçkitjen, dhunimet, torturat dhe vrasjet e shqiptarëve
Në rrënëzat e rajonit të “Goleshit” kanë qenë të pozicionuara forcat e ish-armatës jugosllave, dhe ato janë:
6 regjimenti raketor kundërajror;
7 brigada tankiste;
8 brigada e motorizuar e këmbësorisë dhe;
9 divizioni artilerik.
Në fshatin Komoran, në rrugëkryq është vendosur njësia për operacione speciale. Kjo njësi ka pasur për detyrë kryesore bastisjen, plaçkitjen, dhunimet, torturat dhe vrasjet e shqiptarëve. Ka vepruar dhe operuar në territorin e komunës së Drenasit. Në kuvendin komunal të Drenasit, kanë qenë të pozicionuara brigada e policisë, kurse në fabrikën e Feroniklit, batalioni i ish-ushtrisë jugosllave i ardhur nga Serbia. Në fshatin Kijevë të Malishevës, gjithashtu kanë vepruar forcat ushtarake dhe ato policore. Të gjitha këto forca të lartpërmendura kanë qenë nën komandën e korparmatës së Prishtinës, me të cilën ka komanduar gjenerali Pavkoviq.
Mst: Gligorovi paralajmëroi luftën në Kosovë
Më 11. 02. 1998 presidenti maqedonas Gligorov, deklaroi se Maqedonia priste luftë në Kosovë, dhe se po përgatiste një korridor nëpërmjet të cilit refugjatët shqiptarë do të kalonin nga Kosova në Shqipëri (shqiptarët e Maqedonisë e interpretuan këtë të indinjuar si përgatitje e kontributit maqedonas për dëbimin e shqiptarëve). Po ashtu më 11. 02. 1998 dy politikanë nga Vojvodina, socialdemokrati Nenad Çanak dhe reformdemokrati Isakov deklaruan se kishin prova të qarta për mobilizimin ushtarak për luftë në Kosovë, përgatitje që përkujtonin përgatitjet për luftën në Kroaci në vitin 1991.
MST: Strategjia për spastrim etnik
Veprimet jugosllave në Kosovë gjatë vitit 1998 kanë shumë ngjashmëri me veprimet jugosllave në luftën e Bosnjës. Milosheviqi, Shesheli, Arkani dhe njerëzit e tyre provojnë që nëpërmjet vrasjeve masive dhe terrorit ta dëbojnë një popull të tërë nga vendi i vet. Ashtu si në Bosnjë edhe këtu popullsia keqtrajtohet rëndë, me shpresë që dikush do të mbrohet me armë. Atje ku kjo nuk ka sukses, inskenohen incidente. Më pas rrethohen vendbanime të tëra dhe vihen në breshërinë e artilerisë dhe snajperistëve. Kështu që popullsisë nuk i mbetet tjetër veç ikjes. Në këtë mënyrë mundohen që pjesë të ndryshme strategjike të vendit të “pastrohen” nga popullsia. Kjo vlen sidomos në rajonin e gjerë të Drenicës.
Box:
Gjenocidi me përmasa të etnocidit
Forcat ushtarake jugosllave qysh nga fillimi i luftës, fundi i shkurtit e deri në fillim të shtatorit, kanë sulmuar 391 vendbanime të Kosovës. 226 vendbanime i kanë gjuajtur me armë të rënda. Ndërsa nga 217 fshatra i kanë përzënë të gjithë banorët. Shumë vendbanime janë plaçkitur dhe pastaj janë shkatërruar plotësisht. Në disa vende janë djegur sistematikisht të korrurat. Territore të tëra janë deklaruar si “zona të vdekjes”. Shumë vendbanime nga qyteti i Gjakovës i janë nënshtruar një bllokade totale, saqë banorët e këtyre i kërcënonte uria, kurse buka u shitej vetëm serbëve. Më 2 shtator 1998 në Kosovë ka pasur 417. 483 njerëz që largoheshin në pjesë të tjera të Kosovës, Mal të Zi, Shqipëri dhe Maqedoni.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …