Drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke e cilësuar këtë institucion si të politizuar dhe joprofesional në menaxhimin e procesit zgjedhor. Sipas Kryeziut, vendimet dhe mosveprimet e fundit të KQZ-së po prodhojnë pasoja serioze për demokracinë në vend dhe po dëmtojnë drejtpërdrejt besimin në procesin zgjedhor. “KQZ është shndërruar në një institucion të politizuar dhe të paaftë, i cili me veprimet dhe mosveprimet e veta po e dëmton drejtpërdrejt demokracinë zgjedhore dhe interesat kombëtare të Republikës së Kosovës. Papërgjegjësia e anëtarëve të saj dhe mungesa e theksuar e profesionalizmit kanë cenuar rëndë integritetin e procesit zgjedhor”, ka shkruar Kryeziu. Ai ka theksuar se këto zhvillime po e zbehin reputacionin që Kosova kishte ndërtuar ndër vite si shembull pozitiv në zhvillimin e proceseve zgjedhore, përfshirë edhe vlerësimet nga partnerët ndërkombëtarë. Kryeziu ka veçuar si veçanërisht problematik vendimin e fundit të KQZ-së për mospublikimin e rezultateve përfundimtare për Listën Serbe, duke e cilësuar atë si skandaloz dhe të pajustifikueshëm. Sipas tij, ky veprim përbën cenim të së drejtës së përfaqësimit politik, ka nxitur reagime nga faktori ndërkombëtar dhe rrezikon të shkaktojë vonesa të mëtejshme në certifikimin e rezultateve zgjedhore.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
