Shefi i Grupit Parlamentar të Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka reaguar lidhur me takimet e fundit politike për zgjedhjen e presidentit të vendit, duke i cilësuar ato më shumë si një shfaqje për opinionin publik sesa përpjekje reale për arritjen e një marrëveshjeje. Tahiri deklaroi se retorika për “konstruktivitet” është vetëm fasadë dhe se procesi aktual po prodhon vazhdimisht kriza politike, pa ndonjë propozim konkret nga fituesi i zgjedhjeve. Sipas tij, edhe pse kanë mbetur vetëm 48 orë deri në votimin për presidentin, ende nuk është prezantuar asnjë emër apo kandidaturë zyrtare. “Edhe 48 orë kanë mbetur deri te votimi i presidentit, ndërsa fituesi i zgjedhjeve ende nuk ka as emër e as propozim konkret. Takimet duken më shumë për konsum publik, fjalët për ‘konstruktivitet’ janë vetëm fasadë, sepse këtu veç konstruktivitet nuk ka. Ka vetëm situata hipotetike që prodhojnë krizë pas krize. Papërgjegjësia nuk ka kufi”, ka shkruar Tahiri. Ai shtoi se mungesa e qartësisë politike dhe e përgjegjësisë institucionale rrezikon të thellojë krizën aktuale dhe të shtyjë vendin drejt një ngërçi të ri politik.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
