Blerim Muriqi

Blerim Muriqi: HIJE ZGJEDHJESH NË SHPATULLAT E KRYETARIT TË MUNGUAR PËR SHTETIN

Në rregullin e pluralizmit, ku republika mban për kurorë titullin e kryetarit, është vota elektorale ajo që prodhon përfaqësimin. Kur vota mungon me qartësinë e saj, procesi politik ecën përpara përmes marrëveshjeve, ose, siç thotë zhargoni politik, përmes konsensusit.

Politika në vetvete është një marrëveshje e qëndrueshme mbi rregullat e lojës. Ajo krijon “terenin” ku ide të ndryshme mund të përballen dhe ofertat programore të gjykohen dhe diskutohen. Në këtë kuptim, politika nuk është dhe as duhet kuptuar thjesht si konflikt. Ajo është një mjet për koordinim dhe rregullim të interesave të ndryshme, një ekuilibër mes pjesëmarrjes qytetare dhe pajtimit mes aktorëve politikë.

Koncepti që politika është një marrëveshje e fillimeve i takon traditës së kontraktualizmit social, ku marrëveshja është baza e legjitimitetit dhe koordinimit politik. Përfaqësuesit kryesorë të kontraktualizmit – Hobbes, Locke, Rousseau, etj, e shohin politikën si një “marrëveshje shoqërore” që krijon vullnetin e përgjithshëm dhe rregullon jetën kolektive.

Do të duhej që pluralizmin tonë ta begatonte kjo qartësi rregullash, të cilat burojnë nga nevoja e shoqërisë për rend dhe siguri. Por shpesh, të keqen e mbajmë brenda vetes sonë – dhe kjo është e keqja e madhe. Kjo mungesë qartësie na shtyn të dyshojmë nëse jemi një shoqëri hipokrite deri në palcën e mosndjeshmërisë qytetare. Shohim se partitë që na përfaqësojnë nuk e masin angazhimin e tyre me shtatin që duhet të hedhë shteti, por me thellësinë e sahanit ku duan të hanë.

Sot është 4 Marsi, dita kur lavjerrësi do të prekë zgjedhjet e përgjithshme ose Kryetarin e Shtetit të orës së fundit. Gjithçka e orës së fundit është e pamjaftueshme. Edhe Kryetari ose Kryetarja që mund të zgjidhet sot, pavarësisht ligjshmërisë kushtetuese, nuk do të jenë legjitim në sytë e opinionit dhe nuk do të kenë kredibilitet në thirrjen e përfaqësimit. Legaliteti dhe legjitimiteti, kështu sikur është vepruar, po bashkëndahen në jetën përfaqësuese të institucionit më të lartë të shtetit.

E keqja më e madhe e kohës që po kalojmë janë zgjedhjet e reja. Kur fitorja e LVV-së ishte plebishitare, mos përfundimi i ndërtimit të institucioneve është faj i egoizmit dhe arrogancës së fituesit. Kjo arrogancë, e shoqëruar me papërgjegjshmërinë e opozitës, po e vendos shtetin tonë me shpatulla për muri dhe shoqërinë tonë para një reflektimi të domosdoshëm mbi gjendjen reale të pluralizmit dhe përfaqësimit.

Zgjidhja e këtij ngërçi, sikur po shihet, i është lënë në dorë zgjedhjeve të reja. Ato, pak a shumë, do të prodhojnë rezultate të përafërta. Dhe atëherë, nëse vërtetë ndodhin, do të kuptojmë se ky pingpong na është dhënë dhuratë nga politika e sëmurë.

Kontrolloni gjithashtu

Sadik Halitjaha

Thirrje nga Sadik Halitjaha: Kuvendi i Kosovës u konstituua, tani duhet ta nxjerrë një rezolutë të këtillë sa më parë, sa nuk u bë tepër vonë! E nesërmja na pyet: ku ishit dje!

Deklaratë e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë: Për pafajësinë e udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të …