Komisionarja e BE-së, Marta Kos shtyn vizitën në Kosovë për shkak të zhvillimeve politike

Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka vendosur ta shtyjë vizitën e saj të planifikuar në Kosovë për shkak të zhvillimeve të fundit politike në vend. Sipas Komisionit Evropian, gjatë një bisede telefonike me kryeministrin Albin Kurti, komisionarja e informoi atë se udhëtimi i saj do të shtyhet deri në një moment më të përshtatshëm. Nga Komisioni Evropian është bërë e ditur se Kos synon të udhëtojë në Prishtinë “në momentin e parë të mundshëm”. Vizita e saj pritej të realizohej më 12 mars dhe do të ishte vizita e parë në Kosovë në cilësinë e komisionares për Zgjerim. Shtyrja e kësaj vizite vjen në një moment të tensionuar politik, pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur masë të përkohshme ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, pas dështimit për zgjedhjen e presidentit të ri deri më 5 mars. Vendimi i Gjykatës, i marrë pas ankesës së Vetëvendosje, parashikon që masa e përkohshme të mbetet në fuqi deri më 31 mars. Deri atëherë, as presidentja nuk mund të shpallë datën e zgjedhjeve dhe as Kuvendi nuk mund të vazhdojë seancat. Zyrtarët evropianë kanë shprehur tashmë keqardhje për situatën politike në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e stabilitetit institucional dhe funksionimit të rregullt të institucioneve demokratike.

Kontrolloni gjithashtu

Gucati

Dënohet me katër muaj burgim personi që kërcënoi Hysni Gucatin

Gjykata ka dënuar me katër muaj burgim Eqrem Avdullahun, pasi u shpall fajtor për kërcënim …