Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka mirëpritur marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosova dhe Bashkimi Evropian për zbatimin e Ligjit për të Huajt, një marrëveshje që ka nxitur edhe reagime kritike në skenën politike në vend. Hargreaves theksoi se marrëveshja përfaqëson një zgjidhje praktike që u mundëson komuniteteve të ndryshme të jetojnë, punojnë dhe studiojnë në Kosovë pa ndërprerje të shërbimeve. Ai gjithashtu përshëndeti angazhimin e kryeministrit Albin Kurti për zbatimin e këtij ligji dhe për koordinimin me BE-në lidhur me çështjet që prekin komunitetin serb në Kosovë. “Mbretëria e Bashkuar mirëpret marrëveshjen e arritur midis Kosovës dhe BE-së mbi zbatimin e Ligjit për të Huajt. Marrëveshja respekton kornizën ligjore të Kosovës, duke ofruar zgjidhje praktike për të gjitha komunitetet që të jetojnë, punojnë dhe studiojnë ligjërisht në Kosovë pa ndërprerje të shërbimeve. Ne mirëpresim angazhimin e Kryeministrit Kurti për të zbatuar ligjin dhe planet e tjera të ardhshme që ndikojnë në komunitetin serb të Kosovës në koordinim të ngushtë me BE-në dhe komunitetin”, ka shkruar Hargreaves. Sipas marrëveshjes së arritur mes Qeverisë së Kosovës dhe BE-së, punëtorëve serbë në sektorët e arsimit dhe shëndetësisë, si dhe studentëve, do t’u mundësohet pajisja me leje të përkohshme qëndrimi për një periudhë fillestare prej 12 muajsh.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
