Përfaqësuesi i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutiérrez, ka shprehur shqetësim serioz pas një takimi dyorësh me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke theksuar mungesën e reflektimit për klimën armiqësore ndaj gazetarëve në vend. Në një konferencë për media të organizuar nga Këshilli i Evropës përmes Misionit Faktmbledhës të Platformës për Sigurinë e Gazetarëve, Gutierrez deklaroi se qëndrimi i Kurtit ishte ndër aspektet më shqetësuese të takimit. Sipas tij, kryeministri jo vetëm që nuk e pranon ekzistencën e një klime armiqësore ndaj mediave, por në disa raste tenton ta arsyetojë atë. “Ai refuzoi ta dënojë çfarëdo qëndrimi negativ publik ndaj gazetarëve dhe në njëfarë mënyre e justifikoi këtë klimë”, u shpreh Gutierrez, duke e cilësuar këtë si një sinjal alarmues për lirinë e shprehjes në Kosovë. Ndërkohë, nga të gjeturat e Misionit Faktmbledhës është theksuar se liria e mediave në Kosovë ka pësuar rënie krahasuar me vitet e kaluara, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë e gazetarëve dhe standardet demokratike në vend.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
