Atë çka mësuam nga këto lajme ishte e papritur: që Gjykata do të hyjë edhe në fushën materiale dhe të pronave.
Kjo është tej kompetencave të kësaj gjykate dhe njëkohësisht paralajmëruese se këto pasuri mund të sekuestrohen për pagesat e viktimave, duke krijuar përshtypjen se prokuroria paraprakisht përgatit situata dhe ndërmerr veprime para vendimit gjyqësor.
Kjo na jep të kuptojmë se mund të ketë dënime, si dhe pagesa për viktimat, të cilat prokuroria i llogarit në 185. Kuptohet, përfshihen edhe raste të ekzagjeruara.
Ky evidentim, regjistrim dhe bllokim i pasurive dhe pronave për katërshen e akuzuar, shtrojnë pyetjen: a është i ligjshëm?
Cili është qëllimi i vërtetë? Mos vallë komprometimi para popullit dhe diskreditimi apo zhvlerësimi?
Nëse kjo gjykatë paska edhe këtë të drejtë, atëherë, sipas kësaj logjike, ajo po ia jep vetes dhe po i shton vazhdimisht kompetencat.
Atëherë nuk do të ndalet këtu, por mund të vazhdojë me qindra pronarë në Kosovë. Unë nuk pajtohem në asnjë mënyrë që ky të jetë objekt i kësaj gjykate.
Sepse prokuroria po e tjetërson plotësisht pistën e hetimit dhe veprimit nga ajo për të cilën është themeluar kjo gjykatë.
Sa është e drejtë që vetëm në krahun e UÇK-së të evidentohen dhe bllokohen pronat?
Pse atëherë nuk hetohen oligarkët e para luftës dhe të ish-pushtetit në Kosovë, të cilët janë pasuruar në mënyrë të paligjshme, përmes spiunazhit dhe përfitimeve të lehta, pa djersë?
Mendoj se kjo u ka dhënë mundësi edhe të paguajnë vrasës për shkak të konflikteve brenda llojit.
Me sa duket, kjo gjykatë i paska rritur kompetencat dhe ka zgjeruar pistat hetimore edhe në pasuri dhe gjendje materiale, si dhe afatet e saj.
Kjo gjykatë kishte mandat nga viti 1998 deri më 2000, ndërsa tani, kur janë në pyetje pronat, duket se po synon ta shtrijë mandatin deri në vitin 2026.
Pse atëherë nuk fillon nga viti 1990 dhe ta zgjerojë hetimin në 100–2000 persona e pronarë, duke zbardhur jo vetëm padrejtësitë e prejardhjes së pronave, por edhe shpenzimet dhe investimet që mund të kenë kaluar në krim?
Kjo është shumë e padrejtë, joligjore dhe devijim nga qëllimi për të cilin është krijuar kjo gjykatë.
Aq më keq për këta katër të akuzuar, që t’u evidentohen dhe bllokohen pasuritë. Këto janë veprime joligjore dhe ogurzeza, që sinjalizojnë dënim të paracaktuar, sikurse edhe marrëveshja me shtetin belg për mbajtjen e burgut atje.
Kjo duhet të ndalet sa më shpejt nga Qeveria e Kosovës. Parlamenti duhet të marrë vendim që të mos devijojë qëllimi për të cilin është krijuar kjo gjykatë.
Shpenzimet dhe përgjegjësitë materiale dhe të sigurisë duhet t’i sigurojë Qeveria e Kosovës, jo të akuzuarit.
Siç është rasti me Sali Mustafën, të cilit i kërkohet t’i paguajë vetë. Në pamundësi, ai duhet të mbetet në burg.
Pse nuk merren institucionet? Këta janë qytetarë të Kosovës dhe Kosova duhet të garantojë sigurinë e tyre.
Uroj që vendimi, i cili pritet më 19 maj, të jetë lirues dhe shfajësues.
Boll u bë që për 5 vite nuk u mor parasysh prezumimi i pafajësisë. Deri sa nuk janë të dënuar, duhet të konsiderohen të pafajshëm.
03 prill 2026
Sadik Halitjaha
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
