Antonia Case

Antonia Case: Mesazhi i fshehur, apo supozimi i pranishëm në shumicën e lajmeve, është që njerëzit janë të këqij

Sociologët e kanë ditur prej kohësh, që shumica prej nesh janë goxha të mirë. Punojmë mirë në grup dhe kujdesemi për njëri-tjetrin. Përgjithësisht themi të vërtetën, kujdesemi për të vegjlit dhe të moshuarit. Në thelb, jemi pozitivë dhe zemërgjerë. Shpirti i gjerë ndihmon për të shpjeguar pse jemi kaq të suksesshëm si specie dhe pse sot jemi shtatë miliardë njerëz. Shumica jonë nuk kërkojnë histori vrasjeje, degjenerim dhe dhunë. Këto na ngjallin neveri.

Megjithëse e pranojmë se një përqindje e vogël e popullsisë mund të jetë pak e paqëndrueshme, ne s’i kalojmë ditët tona në ndjekje të tyre. Media po. Nëse do të çonim bisedat mediatike te psikiatri, cila do të ishte diagnoza? Aparati mediatik i sotëm është një rrejt i ndërlidhur informacioni për njerëz, vende dhe ngjarje – dhe këto ide bëhen tuajat kur i lexoni, i shikoni në ekran, i dëgjoni që i diskutojnë të tjerët, ose rastësisht i dëgjoni të transmetuara në radio ndërsa zgjidhni sallatë për darkë në dyqan.

Megjithëse ju nuk i ndoqët vetë këto histori, këto leksione të jetës dërgojnë valë në nënvetëdijen tuaj, duke nxitur frikë, babëzi, xhelozi, urrejtje – ndjenja që ju as e dinit që i kishit. Dhe sigurisht nuk i kishit. Këto nuk janë idetë tuaja. Njerëzit e famshëm dhe sipërmarrësit u japin një dimension human historive mediatike. Mbi njëqind vjet më parë, një grusht njerëzish zbuluan një instrument për krijimin e një publiku intelektualisht të fjetur. Jo, kësaj here nuk ishte një pushkë ose bombë, nuk ishte as ilaç, por një sistem komunikimi që do t’i ndalte në vend masat.

Ky sistem është ajo që njihet sot si marrëdhënie publike. Ju mund t’i falënderoni ata njerëz sa herë që i hakërreheni televizorit, ose kur shani gazetën të fyer nga broçkullat që përcillen si “lajme” ose “informacion i vlefshëm”. Praktikuesit e marrëdhënieve publike mësuan që arti i paketimit të informacionit në një kuti aq të ëmbël e tunduese saqë njerëzit nuk do t’i rezistonin dot: katastrofa, luftëra, terror, vrasje, seks, ikona stili, divorc, modele, miliarderë e kështu me radhë. Brenda këtyre lajmeve vijnë gjëra të tjera, gjëra më të rëndësishme që ndikojnë në mënyrën si ju shikoni dhe perceptoni botën dhe ku e shikoni veten në skemën e gjërave.

Edvard Bernajs, një nga njerëzit e parë të marrëdhënieve publike, dikur tha: “Çdo banor është vazhdimisht i ekspozuar ndaj ndikimit të rrjetit tonë të gjerë të komunikimit që shtrihet në çdo cep të vendit, pavarësisht sa i largët apo i izoluar është. Fjalët godasin vazhdimisht sytë dhe veshët”.

Sot, industria e marrëdhënieve publike është një gjigant në shumë miliarda dollarë. Një narrativë e mirë, prodhim cilësor, imazhe dhe tituj – të gjitha të lustruara dhe të përcjella me makinën mediatike. Sukses i marrëdhënieve publike konsiderohet kur një emër, individ apo kompani, bëhet “publik”, pavarësisht mënyrës si bëhet i tillë.

Këta njerëz dhe reklamat e marrëdhënieve publike konsumojnë jetën mendore të lexuesve dhe shikuesve, të cilët thjesht nuk mund t’i rezistojnë goditjes. Dhe me rutinën e konsumit të lajmeve që është bërë pjesë e jetës së shumicës, kontrolli i mendjes publike është po aq i lehtë sa hedhja e peshkut në një fuçi. Ata mendojnë për ju haptazi.

Mesazhi i fshehur, ose supozimi i pranishëm në shumicën e lajmeve, është që njerëzit janë të këqij, bota është jashtë kontrollit dhe se në botë ka shumë njerëz më të suksesshëm se ju. Pronarëve të pasurive që sigurojnë fitime të majme duke blerë me çmim të ulët dhe shitur me çmim të lartë – që i japin me gëzim shtëpinë një familjeje që do të jetë në borxh për pjesën tjetër të jetës – u rrihen krahët me respekt. Pronarët e bizneseve që krijojnë perandori dhe grumbullojnë pasuri masive janë ikonat tona kombëtare.

Kompanitë që shtrihen jashtë kufijve dhe përfitojnë nga vendet e varfra janë më të dashurat në tregun tonë. Aparati mediatik na mëson se jeta është një spektakël për t’u parë, por jo për të marrë pjesë në të. Ajo ushqen sindromën e motrës më të vogël – dëshirën të arrijmë motrën e madhe, t’i zotërojmë dhe ne ato gjëra që zotëron ajo. Ne mendojmë gabimisht se këto “histori” mediatike thuajse e thonë gjithçka – që pjesa më e madhe e popullsisë bën një jetë në harmoni me këndvështrimin e shfaqur në lajme; kurse, në realitet, shumica e popullsisë jeton përditshmërinë në humor relativisht të mirë, në përpjekje të sigurojë bukën.

Njësoj si ushqimet e dëmshme, problemi me këto paketa “të personazheve pozitivë” është se, pasi futen në mendjen tuaj, nuk mund ta zhdukni efektin e tyre. Bota në medie projektohet si një vend biznesi, jo një planet që rrotullohet në hapësirë. Biznesi është burimi, jo toka ose natyra. Ne jemi individë dhe jo qenie të ndërlidhura me një shumësi speciesh të tjera.

Mikrokozmosi mediatik është si një molekulë pluhuri në një univers në zgjerim. Nuk reflekton asgjë me rëndësi. Nëse kërkimi i lumturisë është heqja e aspekteve negative nga jeta e njeriut, atëherë është i dukshëm vendi nga duhet nisur. (MAPO)

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …