Deri në vitet ’90 të shekullit të kaluar, dita e 1 Majit, si ditë përkujtimore e punëtorisë, në Shqipëri, madje edhe në ish-vendet socialiste (kur ato ishin në binarët e socializmit të vërtetë), është festuar më tepër si dita përkujtimore e gjakderdhjes së punëtorëve të Çikagos në SHBA. Ata, në ditën e parë të majit të vitit 1886, të organizuar në sindikatat e punëtorisë, guxuan të protestonin për të drejtat e tyre – të drejta këto që nëpërkëmbeshin nga bosët kapitalistë amerikanë, të cilët u pinin gjakun punëtorëve duke i shfrytëzuar egërsisht me nga 16 orë punë në ditë, me paga minimale dhe në kushte pothuajse gjysmë-skllavërie.
Këto protesta, të cilat kulmuan me përleshje, patën një bilanc tragjik, duke përflakur rrugët e Çikagos me gjakun e 2–3 punëtorëve që humbën jetën, si dhe dhjetëra të tjerë të plagosur. Me vendim të Internacionales së Dytë në vitin 1889, dita e 1 Majit u shpall si dita e solidaritetit ndërkombëtar të punëtorisë botërore – ditë kjo që përkujtohet anembanë globit me manifestime, protesta dhe demonstrata.
Kjo ditë nuk është vetëm përkujtim për veprën e punëtorëve martirë që guxuan të ngrihen kundër shtypjes dhe shfrytëzimit kapitalist, por edhe një apel ndërkombëtar për të rikujtuar se, edhe sot, natyra e kapitalizmit nuk ka ndryshuar. Përkundrazi, në fazën e tij më të lartë – imperializmin – shfrytëzimi i punëtorisë mund të ketë ndryshuar formë, por jo përmbajtje. Sot ai ka marrë jo vetëm karakter kombëtar, por edhe ndërkombëtar.
Jo pa qëllim, thirrja “Proletarë të të gjitha vendeve, bashkohuni!” sot më shumë se kurrë mbetet një kushtrim që duhet t’i tërheqë vëmendjen edhe punëtorisë shqiptare.
Megjithatë, gjenden ende sot punëtorë shqiptarë të cilët, për fat të keq, në vend që të ngrihen në protesta dhe demonstrata, rendin pas flamujve të forcave që përfaqësojnë shtypjen dhe shfrytëzimin e kapitalit shqiptar. Këto forca, për konsum publik, emërtohen si “socialiste”, “demokrate”, “republikane”, “lëvizje për integrim”, e deri te parti të ashtuquajtura nacionaliste “panhelenike”, të cilat, në mënyrë paradoksale, mbajnë edhe siglën e “të drejtave të njeriut”.
Sindikatat shqiptare, të cilat jo vetëm janë të përçara, por në kushtet aktuale duket sikur kanë hyrë në fazën e shuarjes, janë kthyer praktikisht në struktura pa ndikim real. Ato ekzistojnë më shumë formalisht, ndërsa në realitet nuk arrijnë të përfaqësojnë interesat e punëtorëve. Në vend që të mbrojnë të drejtat e tyre, shpesh japin përshtypjen e një bashkëjetese me sistemin që duhej të sfidonin.
Prej më shumë se 35 vitesh, në Shqipëri nuk kemi parë një lëvizje sindikale të fuqishme që të kërkojë në mënyrë të organizuar përmirësimin e kushteve të punës, rritjen e pagave apo mbrojtjen e dinjitetit të punëtorëve, të cilët shpesh shfrytëzohen deri në kufijtë e mundshëm, madje në disa raste edhe me pasoja tragjike.
Asnjë sindikatë nuk ka marrë guximin të organizojë greva apo protesta të fuqishme për rritjen e pagave dhe përmirësimin e jetesës së punëtorëve dhe pensionistëve. Po ashtu, mungojnë reagimet ndaj padrejtësive të strukturave shtetërore dhe ekonomike.
Paradoksi bëhet edhe më i madh kur sheh se punëtorë të së njëjtës fushë, me të njëjtat probleme dhe aspirata, ndahen në struktura të ndryshme sindikale, pa asnjë arsye reale. Pikërisht këtu qëndron edhe një nga problemet kryesore: mungesa e unitetit.
Kapitali shqiptar nuk ka interes për një punëtori të bashkuar, por për një punëtori të përçarë. Për këtë arsye, shpesh krijohen ndarje artificiale, duke i vendosur punëtorët kundër njëri-tjetrit – sipas bindjeve politike apo përkatësive të ndryshme.
Nga ana tjetër, një pjesë e punëtorisë shqiptare duket sikur është shkëputur nga realiteti i saj social. Dita e 1 Majit, në vend që të shërbejë si ditë reflektimi dhe proteste, përjetohet shpesh si një ditë pushimi apo argëtimi.
Por pyetja që mbetet është:
Si është e mundur që në një realitet të tillë të mos ketë reagim?
Pse mungojnë protestat e organizuara?
Dhe ku janë sindikatat në këto momente?
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
