Në ambientet e Qendrës Kreative Dukagjini në Pejë, u promovua sot libri “Rrezja e plagosur”, vepra e parë e autores së re Njomza Kelmendi, një krijim që ndërthur prozën dhe poezinë me kujtesën historike dhe ndjenjën e thellë emocionale.
Libri, i cili i kushtohet dëshmorit të kombit Avdi Kelmendi, sjell një narrativë të fuqishme ku figura e tij, si xhaxhai i autores, shndërrohet në boshtin emocional dhe historik të veprës.
Redaktori dhe recensenti Riad Berisha theksoi rëndësinë e librit si një dëshmi artistike dhe historike, duke vënë në pah ndërtimin e narrativës dhe peshën që mbart figura e dëshmorit në të.
Ndërkaq, redaktorja gjuhësore Naxhije Kastrati u ndal te roli i brezit të ri në krijimtari, duke vlerësuar faktin se autorët e rinj po sjellin libra që kanë në qendër luftën e UÇK-së dhe kujtesën kolektive.
Në fjalën e tij, doktor Ali Berisha vlerësoi veprën si një nderim të dyfishtë: për dëshmorin dhe për vetë autoren, e cila vjen nga një familje me traditë atdhetare, duke theksuar se vlera e këtij libri rritet edhe më shumë nga ky kontekst.
Shkrimtari Prend Buzhala u ndal te koha në të cilën jetojmë, duke theksuar se epoka digjitale ka hapur horizonte të reja për të rinjtë, por libri mbetet një vlerë e pazëvendësueshme, qoftë në formën fizike apo digjitale. Ai e cilësoi veprën si një dëshmi të një bote të pasur emocionale dhe si vazhdimësi të traditës krijuese që bart në vete edhe vlerat e luftës së UÇK-së.
Ish-drejtori i shkollës fillore z Afrimi, përgëzoi autoren Njomza Kelmendi për talentin dhe guximin krijues që premton shumë për të ardhmen.
Gjatë promovimit, nxënës të dalluar lexuan pjesë të zgjedhura nga libri, duke sjellë para të pranishmëve emocionet dhe mesazhet e autores.
Në një fjalim mjaft prekës, Safete Shala, motra e dëshmorit Kasim Shala, vlerësoi lart librin dhe u bëri thirrje brezave të rinj që të mos harrojnë sakrificën, gjakun e derdhur dhe datat historike, duke përshëndetur në veçanti Eduarden, vajzën e dëshmorit Avdi Kelmendi.
Mësuesja Lindita Rexha foli për rrugëtimin e autores, duke theksuar përkushtimin dhe gjurmët e hershme të pasionit të saj për krijimtarinë.
Programi artistik u pasurua edhe nga interpretimi në flaut i Arjeta Rrahmani, e cila solli dy pika muzikore për të pranishmit.
Në emër të familjes, Alketa Rrahmani falënderoi të gjithë pjesëmarrësit, duke theksuar rëndësinë e veprave të tilla në ruajtjen e kujtesës dhe në edukimin e brezave të rinj.
Në fund, autorja Njomza Kelmendi u shpreh se libri është një përpjekje e sinqertë për të mos lejuar që lufta e UÇK-së të harrohet apo të zbehet, duke shtuar se kujtimi për axhën e saj është i përditshëm dhe i përhershëm. Promovimi u përmbyll me leximin e fragmenteve nga libri, duke e kthyer këtë ngjarje në një homazh të ndjerë për sakrificën dhe një dëshmi të fuqisë së fjalës artistike në shërbim të kujtesës dhe identitetit.
Një nga momentet më prekëse të promovimit ishte kur autorja Njomza Kelmendi ftoi në skenë Eduarden, vajzën e dëshmorit Avdi Kelmendi.
Me lot në sy dhe e mbushur me emocione, Eduarda u shpreh para të pranishmëve: “Jam shumë krenare për babin tim dhe për gjithë familjen time”, duke prekur thellë audiencën dhe duke e kthyer këtë moment në një dëshmi të gjallë të dhimbjes, krenarisë dhe kujtesës që mbetet ndër breza.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
