Sot kujtdo që ia përmend emrin e personaliteteve të skenës sonë politike, estradës apo shou programeve të ndryshme, menjëherë i vijnë në mendje të dhëna të shumta për jetën e tyre, për privilegjet e pafundme që ju dhurohen, jetën luksoze, villat në lagje të shtrenjta, skandalet, zënkat, fyerjet e shumëçka tjetër por nëse pyet ndokënd a dinë ndonjë informatë për Bahtije Bytyqi Kastratin (26.06.1953 – ….), do përballesh vetëm me një ngritje supesh dhe shpërfillje për të ditur më shumë për të, ani pse ajo me atdhedashurinë e saj të jashtëzakonshëm, kishte mahnitur gjatë luftës gazetarë ndërkombëtarë.
“Pushkën e djalit tim Fehmiut, tani t’ia jepni djalit tim tjetër, Aliut. Unë për këtë ditë i kam rritur dhe edukuar djemtë e mi – për t’i dalur zot atdheut. Edhe djemtë tjerë i qofshin fal atdheut dhe le ta vazhdojnë luftën deri në dëbimin e dushmanit nga trojet tona” kishte thënë nëna Bahtija gjatë ceremonisë së varrimit të djalit të saj, 20 vjeçar, Fehmiut, pushkën e të cilit kishte kërkuar t’ia vënë mbi supe djalit tjetër që ende nuk i kishte mbushur 18 pranvera, Aliut.
Kishte qenë qëndrimi stoik i nënë Bahtijes përballë dhimbjes së ndarjes fizike nga biri i saj, Fehmiu dhe fjalët e saj për vazhdimin e luftës çlirimtare me çdo çmim, që i kishte shtyrë gazetarët ndërkombëtarë të konludonin se “lufta çlirimtare në Kosovë nuk ka për t’u ndalur deri në çlirimin e saj”.
Intervistën me atdhetaren shembullore, Bahtije Bytyqi Kastrati për Radion Kosova e Lirë e zhvillojmë në shtëpinë e saj në fshatin Kizharekë. Është mbresëlënëse pritja e saj dhe dashuria e pakushtëzuar për kombin, atdheun, dëshmorët, ashtu sikur na porositë, një ndër filozofët më të mëdhenj gjerman, Imanuel Kanti kur shkruan për imperativin kategorik. Ajo rrëfen se pas luftës, gjithçka filloi nga e para sepse dushmani ua kishte djegur e rrënuar çdo gjë. Vështirësitë nuk na u ndalën as pas lufte, rrëfen me dhimbje dhe sqaron më tutje se ekonomikisht tani qëndrojnë më mirë por vetëm pasi djemtë u detyruan që në liri, ta marrin rrugën e mërgimit pasi në Kosovë nuk munden të gjenin punë që do t’u mundësonte ndërtimin e shtëpive të rrënuara me themel.
Derisa na shoqëron për në shtëpi dhe na flet se sa vlerë ka atdheu, na vjen ta pyesim se nëse sot nis ndonjë luftë për pushtimin e Kosovës, çfarë do të bësh?, përgjigjja e saj është e shpejtë dhe mahnitëse:
Do të ju them djemve të kthehen sa më parë nga perëndimi dhe të luftojnë për vatan, qoftë edhe me çmimin e jetës. Duhet të luftojmë për atdhe nëse me të vërtetë i duam dëshmorët sepse për ta më i shtrenjtë ka qenë vatani se sa jeta e tyre dhe familja – shton nëna Bahtija.
Jeta e rëndë e fëmijërisë
Jeta e rëndë nën robëri nuk e kishte kursyer nga dhimbjet as familjen e vajzërisë së Bahtijes. Ajo rrëfen me dhimbje se qysh nga koha e Titos, partizanët ia kishin vrarë dhe varrosur pa shenjë e nishan djalin e axhës së babait të saj, Bajram Xhemail Bytyqin.
“Ai ka lënë pas gruan e re, me një vajzë dhe djalë të vogël, i cili vdes pas tre muajve. Ne ishim të vegjël atëherë por në familjen tonë burrat bisedonin se dushmani nuk u mjaftua vetëm me vrasjen e Bajramit por edhe ia humbën gjurmët që të mos dihet as varri i tij. Unë isha shumë e zgjuar dhe krejt 5-she i merrja në shkollë por për shkak të kushteve ekonomike dhe mendësisë së kohës, nuk arrita ta vijoj shkollën edhe pse shumë doja të arsimohesha. Pasi arsimimi mu ndërpre, unë fillova të mësoj me përkushtim të madh punë të ndryshme që bëjnë vajzat e gratë e sidomos punët në vek ku sajoja me shumë shije gjësende të ndryshme. Në moshën 17 vjeçare u martova me Brahim Kastratin, në Kizharekë. Ndonëse burri nuk gjente punë në Kosovë, ai qysh i ri mori rrugët e gurbetit. Ka punuar në Suboticë, mandej në Rijekë, prej aty në Zagreb dhe kur ia nisi lufta në Bosnje, ai u kthye në Kosovë. Thoshte se është kohë lufte dhe duhet qëndruar pranë familjes. Ai iu përkushtua shumë bujqësisë por të ardhura kishim fare pak dhe ekonomia familjare thuajse mori tatëpjetën.
Me loken, ndoshta po të lodhi por dhimbja më ka shoqëruar gjatë gjithë jetës. Ndonëse u martova e re dhe kalonim shumë mirë me burrin, në moshën 19 vjeçare u bëra nënë dhe djalit ia lamë emrin Fehmi. Ishte gëzim shumë i madh dhe nuk di me përshkru por e di që zgjati shumë shkurt sepse ai vdiq pas 3 muajve. Kur i mbusha 23 vite, Zoti na gëzoi me një vajzë, së cilës ia lamë emrin Qerime, ashtu siç e ka pasur heroina e Drenicës, Shote Galica. Mandej pas katër viteve me një djalë tjetër Fadilin. Dy vite pas tij, Zoti na gëzoi sërish me një djalë tjetër (15.7.1978 – 16.10.1998) të cilit ia përtërijmë emrin e djalit tonë të parë, Fehmiut. Dy vite pas tij na lindi Aliu (1980 -…). Një vit pas demonstratave të vitit 1981 na lindi edhe një djalë tjetër të cilin e pagëzuam me emrin Nazmi. Dy vite pas tij vajza Artimja, dy vite pas saj vajza tjetër Velimja, mandej sërish pas dy viteve një djalë tjetër, Veliu, dy vite pas tij djali tjetër Shemsiu dhe në fund vajza Valmirja.
Ashtu sikur mua, edhe Fehmiut, shpirti i pushoftë në parajsë, i ka ecur mirë shkolla. Ishte shumë i shoqërueshëm dhe i hareshëm dhe ndihmonte babën e vet në të gjitha punët e bujqësisë. Ai përveç punëve të ndryshme merrej edhe me sajimin e armëve. Sajonte thika, shpata dhe improvizonte pushkë. Kur ia nisi lufta, ne vërejtëm disa ndryshime në jetën e tij. Me raste kthehej në shtëpi vonë, shihnim shenja lodhjeje dhe pse nuk jepej dhe shpesh burri më shfaqte brenga se mos ai po devijonte dhe merrej me punë që do na shkaktonin kokëçarje. Fehmiu buzëqeshte edhe kur ne e qortonim për vonesat që shpeshtoheshin dhe paralajmërimet tona se nëse një ditë ndokush do të ankohej prej tij, ne nuk do ja bënim hallall mundin tonë. Kjo zgjati për një kohë derisa ai një ditë më tha:
Nanë, unë e di se shpesh ju kam mërzitur e ju kam shqetësuar por po dua me të tregu diçka se përse jam vonuar. Unë i jam bashkangjitur Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe natën kur vonohesha, ishim duke hapur istikame. Nanë, nuk durohet ma jeta nën robëri dhe unë dua edhe lejen tënde që tani e tutje të bëhem edhe ushtar i armatosur.
Me nanën, hallall të qoftë ajo mërzi e shqetësim që na e ke bërë sa e sa herë por para se ta vesh pushkën mbi supe, matu mirë dhe mos na korit, me asnjë çmim. Uroj të ruajë Zoti ty dhe të gjithë shokët tu që keni nda mendjen me luftu për vatan.
Derisa ia thoja këto fjalë, nuk e di as vet se si por kisha një ndjesi se një nga djemtë do të flijohet për liri. Është interesante se edhe Fehmiu gjithmonë e ka pas këtë ndjesi dhe shpesh më thoshte se nuk ka më mirë nanë se sa me dhënë jetën për lirinë e kombit e të atdheut.
Ai ka shërbyer ngado, në Grykën e Llapushnikut, në Kleçkë, Luzhnicë, Tërstenik, Fushticë e Ultë, Baicë, Lladrovce fshatra tjera. Fehmiu ka shku edhe në Shqipëri për me marr armtatim për veti e për shokë. Më bëhej se u rrit edhe më shumë, se u bë edhe më i fuqishëm. Me padurim nisej për në fushëbeteja. Sikur me tërheq diçka, si magneti që e tërheq hekurin. Mbaj mend se njëherë kur erdhi të na vizitojë nën tenda, rrobat i kishte tejet të baltosura. E luta që të qëndrojë kësaj here për pak orë derisa t’ia pastroja rrobat e t’i thaheshin. Papritmas u dha lajmi për nisjen e betejës dhe Fehmiu ashtu me maicë të lagur, u nis me vrap për betejë. As unë nuk e kuptoja se përse vraponte ashtu për të marrë pjesë sa më parë në beteja. Ai pushoi vetëm për një kohë të shkurtë nga luftimet që zhvilloheshin atë kohë anekënd Drenicës” rrëfente me mall, dhimbje por edhe krenari, nënë Bahtija.
Plagosja në datëlindjen e tij
Gjatë korrikut të vitit 1998, ushtria dhe policia e Serbisë kishin ndërmarrë një fushatë të fuqishme për marrjen e kontrollit të zonave që kontrolloheshin nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Njëra ndër betejat e shumta ishte edhe ajo e Rahovecit, gjatë 15 e 16 korrikut të vitit 1998. Dhe në datën e tij të lindjes, më 15 korrik, Fehmiu do të jetë në mesin e ushtarëve dhe eprorëve që po luftonin në fushëbeteja ku jeta dhe vdekja qëndronin pranë njëra-tjetrës.
Gjatë luftimeve të ashpra që po zhvilloheshin në betejën për Rahovecin, Fehmiu vëren se një veturë po rrokullisej nga granatimet dhe se brenda saj kishte armatim. Kishte mjaftuar ky konstatim dhe Fehmiu niset drejt saj për ta marrë armatimin, aq të nevojshëm për ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë atyre ditëve. Pak kohë pasi merr armatimin dhe posa ishte larguar rreth 10 metra prej veturës, ajo eksplodon. Luftimet ishin tejet intensive dhe Fehmiu merr dy plagë, një në kokë dhe tjetrën në këmbë. Ndonëse mjeku i kishte thënë që të qëndrojë disa ditë derisa plagët t’i shërohen, Fehmiu pas dy ditësh vendos të marrë pjesë në betejat e radhës.
Dy ditë pas plagosjes, ai së bashku me bashkëluftëtarët, Idriz Obria nga Korrotica e Poshtme, Azem Bajraktari e Ahmet Kastrati nga Kizhareka e bashkëluftëtarë të tjerë, do të marrë pjesë në luftimet e fshatit Fushticë, ku tregon një zhdërvjelltësi të jashtëzakonshme. Kjo kishte bërë që ai të merrte pjesë në beteja të ndryshme në të cilat manifestohej karakteri i tij luftarak e shpërthyes ku dhe fiton epitetin “Dinamiti”. Ndonëse i ri dhe me pak përvojë, Fehmiu merrte pjesë në vend luftime të shumta, në Rahovec, Fushticë, Duhel, Terpezë e fushëbeteja tjera.
Shpirti i tij luftarak, ekspozimi ndaj rrezikut dhe mosha e re, kishte bërë që bashkëluftëtarët me raste ta kursenin nga ndonjë aksion por kjo e prekte në sedër Fehmiun. Në sedër ishte prekur kur bashkëluftëtarët nuk e kishin marrë në një aksion kundër forcave shqiptar vrasëse. Ai kishte shfaqur zemërimin e tij duke i qortuar ata se përse nuk e kanë marrë edhe atë në këtë aksion. Fehmiu kishte thënë në mënyrë kategorike se në aksionet tjera, duhet ta marrin gjithsesi edhe atë, pavarësisht se sa i rrezikshëm mund të jetë aksioni.
“Mua më bëhej se Fehmiu nisej për në beteja sikur kur nisen krushqit në dasmë me marrë nusen. Ai shpesh thoshte se dasmë pa mish nuk ka nanë e as nusja e Kosovës – liria, nuk vjen pa gjak. Ai kërkonte me çdo kusht të merrte pjesë në aksione dhe nuk donte me ditë për rrezik a për jetën e vet. Ai thoshte se ma shumë ka vlerë liria e Kosovës se sa jeta e vet. Çka na duhet jeta e të gjithëve nën robëri!? A edhe pasardhësve tonë nanë me ua lanë zgjedhën në qafë a!?
Një ditë ishte planifikuar që të sulmoheshin forcat e dushmanit në një vend të Lladrovcit prej nga ata po bombardonin ushtrinë dhe popullatën tonë çdo ditë. Në mesin e shumë ushtarëve që do të merrnin pjesë në aksionin kundër dushmanit ishte edhe Fehmiu. Bashkë me të ishin edhe shumë shokë të tij dhe kanë vrarë shumë armiq por edhe ata kanë gjuajtur me armë të ndryshme kundër tyre. Një plumb i snajperkës e merr Fehmiun. Ai ua bën me dije shokëve se është plagosur rëndë. Shokët ia dalin ta tërheqin të gjallë nga vendluftimi por plaga ishte tejet e madhe e jo sikur ato të pak muajve më parë.
Shokët e tij më kanë treguar se Fehmiu gjatë gjithë kohës ka qenë i vetëdijshëm dhe pak minuta para se me i mbyll sytë përgjithmonë, ai ka shtrënguar në dorë një shirit kuq e zi me shqiponjë që mbante në kokë dhe i kishte porositur që atë dhe armët t’ia japin vëllaut të tij më të vogël, Aliut”.
Takimi i fundit dhe parandjenja
“Një natë, ai erdhi të qëndrojë më gjatë te ne pasi nuk kishte më luftime intensive si më parë. Kishte diçka interesante te ai. Edhe pse nuk kishte luftime, ai improvizonte skena të luftës dhe e ushtronte vëllanë e vogël, Aliun se si duhet luftuar, si duhet mbushur arma, si duhet marrë në shenjë, si duhet lëvizur zhagas e shumëçka tjetër. Mbase ia ka ndjerë zemra se një ditë, si shumë shokë të tij, edhe atë do ta merrte plumbi dhe luftën për çlirim duhet ta vazhdojnë të tjerët, në këtë rast, vëllau i tij Aliu” vazhdon tregimin nënë Bahtija.
Pas luftës
“Dikush, me loken, e ka paguar shtrenjtë këtë liri, frytet e së cilës tani të gjithë po i shijojnë por zemrat e nanave që nuk i kanë më evlad në këtë botë, nuk munden asnjëherë me i shiju frytet e lirisë pa ndjerë edhe dhimbje për evladët e tyre.
Ashtu sikur në krejt Kosovën, edhe për ne jeta ishte e vështirë pas lufte. Frikë nga vrasjet e masakrat më nuk kishim por shtëpitë na i kishte bërë shkrumb e hi dushmani. Një kohë shpresuam se një ditë edhe nga familja jonë do të punësohet ndokush e të ja nisim me kriju kushte të mira ekonomike ashtu sikur po i krijonin shumë të tjerë por kot. Djemtë gjindeshin si të mundeshin por nuk ja dilnin ta rimerrnin veten sikur kishim dëshirë. Ashtu sikur shumë të rinj të tjerë, edhe djemtë e mi morën rrugën e gurbetit. Pas pak kohe, edhe jeta jonë filloi me ndryshuar ekonomikisht. Kishim të ardhura më të mira por me loken edhe malli për djemtë, e tani edhe nipat e mbesat, është gjithnjë e më i madh”.
Varrimi madhështor dhe vendosja e luleve të freskëta rreth e qark varrit të tij
Ndonëse kisha dhimbje të madhe për Fehmiun, prania e madhe e njerëzve, shokëve të tij, eprorëve por edhe e moshatarëve të tij, disi ma lehtësuan dhimbjen edhe pse e ndjeja se një pjesë e imja u nda nga unë përgjithmonë. Dhimbja ishte e madhe, jo vetëm për ne familjen e tij por edhe bashkëluftëtarët dhe eprorët e Fehmiut. Ai para se me i mbyll sytë, shiritin dhe armët i kishte lënë amanet për vëllanë Aliun dhe unë kërkova në ditën e varrimit që ky amanet të realizohet aty për aty. Dhe jo vetëm Aliun por unë jam kanë e gatshme që edhe 5 djemtë tjerë t’ia fal atdheut.
Atë ditë më bëhej se edhe qielli po qante. Të gjithë po mbanin kokën poshtë me sytë e përlotur, disa qanin në heshtje por ishte një detaj që nuk do ta harroj kurrë. Ishte një moshatare e Fehmiut, Adifete Qelaj që pranë varrit të tij vendoste me një kujdes të jashtëzakonshëm lule të freskëta rreth e përqark varrit të tij. Kjo më ka bërë ta ndjej një freski të shpirtit që nuk kam për ta harruar kurrë. Ishte një ngushëllim aq i mirë sa më vjen keq që nuk po di si ta përshkruaj por ajo vajzë, Adifetja, përkundër dhimbjes së jashtëzakonshme, me atë veprim të saj, më ka bërë të ndihem mirë.
Kujtimet dhe çizmet e gjyshit
A keni ndonjë kujtim nga Fehmiu, ndonjë gjësend, foto, fletore, laps apo ndonjë gjë tjetër?
Po kam. Kam shiritin e tij, foton, kuletën dhe gjësende tjera.
Duke përkëdhelur me një kujdes të jashtëzakonshëm, na tregon shiritin kuq e zi, të cilin Fehmiu ia kishte lënë amanet Aliut për të vazhduar, dhe përkëdhel foton e Fehmiut të bërë sa ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“I shihni këto këpucët e tij?”, na pyet neve dhe vazhdon tregimin:
“Janë këpucët e gjyshit të tij. Në kohën kur u vesh ushtar, Fehmiu nuk kishte këpucë të forta dhe i mori këto të gjyshit të tij i cili kishte ndërruar jetë kohë më parë. Nuk ishin të reja e as të ruajtura kushedi sa por ishin nga më adekuatet për frontet e luftës. Edhe pse nuk ishin adekuate për këmbët e tij, edhe pse ngapak të shqyera nga vjetërsia, meqë nuk kishte këpucë të qëndrueshme tjera, Fehmiu mori ato të gjyshit dhe kurrë nuk i ka hequr, deri në rënien në altarin e atdheut.”
Ëndrrat, vendi i lapidarëve
E keni parë në ëndërr ndonjëherë Fehmiun?
Po me loken, e kam parë dy herë, njëherë tepër mirë e herën e dytë jo mirë. Herën e parë e pashë sikur ishte në një livadh të mbushur me lule. Ishte i shtrirë në shpinë, lëvizte krahët sikur kur don të fluturon dhe më shihte me shumë respekt e dashuri e sikur më thoshte: “E sheh nanë ku kam ardhë. Nuk ke pse mërzitesh për mua.”
Herën e dytë e kam parë keq. Më bëhej sikur u ngrit nga varri dhe derisa ngrihej, baltosej. Ndoshta kjo ëndërr më tregon se nuk bën me u mërzit shumë dhe se ai është bërë ashtu i baltosur për shkak të mërzisë sime të madhe. Mundohem mos me u mërzit shumë por është e vështirë për nanën mos me pas evladin afër.
Fehmiun nuk e kam ma por ne i jemi mirënjohës të gjitha atyre që nuk i harrojnë dëshmorët. Jemi gëzuar shumë kur një rruge në fshatin tonë i është lënë emri i tij, mandej me emrin e tij është pagëzuar edhe shkolla e fshatit tonë ”Fehmi dhe Islam Kastrati” , po ashtu edhe nga fshati Lladrovc është nderu emri i ti me një rrugë që quhet rruga ”Fehmi Kishnareka’’ për ta nderuar fshatin e tij si dhe ndërtimi i lapidarit në oborrin e shkollës së Lladrovcit ama kemi edhe dhimbje e zhgënjime me loken. Ndjehemi shumë keq se si nuk mirëmbahen hapësirat ku janë vendosur përmendoret e dëshmorëve. Mirë që shkojnë qytetarët me i vizitu ama shumë keq kur sheh aty mbeturina të shumta të ambalazheve, shishe të plastikës, limenka, mbetje të cigareve e me raste edhe kafshë dhe bajga të tyre. Kjo të dhemb me loken por ishalla një ditë mbledhim mend dhe shtohet kujdesi ndaj vendeve ku janë vendosur përmendore të dëshmorëve.
Krejt djemtë me përjashtim të njërit, i paske në mërgim por nëse ja nis sërish lufta, çfarë bën, çka ju thua atyre?
Uroj të mos ja nis se lufta është e keqe ama nëse ja nis, gjëja e parë që do t’ju them djemve është të kthehen sa më parë për me mbrojtë vatanin, qoftë edhe me çmimin e jetës. Çka të duhet jeta nën robëri kur dushmani ta pushton vatanin e të bën rob në trojet tuaja!?
Të lumtë për këto fjalë e për këtë dashni që ke për kombin, atdheun e lirinë.
“Lirinë e kombit e të atdheut e kemi amanet të dëshmorëve e nëse i duam ata duhet me dashtë edhe atë për të cilën ata dhanë jetën”- thekson me seriozitet maksimal nënë Bahtija
Dhe derisa njeriu analizon fjalët e saj, ngjyrën e zërit e tonin e papërshkrueshëm, nuk ka se si të mos ndjejë keqardhje se sa shumë dimë për njerëz që vetëm i kanë marrë atdheut e sa pak për njerëzit që kanë dhënë më të shtrenjtën për atdhe, atë për të cilën janë të gatshëm ta japin jetën – fëmijën, pa prit e pa marrë asgjë prej atdheut!!!
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
