Albert Z. Zholi: U shua Birçe Hasko, ikona e teatrit dhe filmit shqiptar që jetoi me art, dinjitet dhe thjeshtësi

Albert Z. Zholi: U shua Birçe Hasko, ikona e teatrit dhe filmit shqiptar që jetoi me art, dinjitet dhe thjeshtësi

Lajmi për ndarjen nga jeta të Birçe Hasko në moshën 84-vjeçare është një humbje e madhe për kinematografinë dhe teatrin shqiptar. Ai ishte një nga artistët më të respektuar të skenës shqiptare, një aktor me integritet të rrallë, pedagog i përkushtuar dhe njeri me vlera të larta njerëzore. Me një karrierë të pasur në mbi 30 filma, Birçe Hasko la gjurmë të pashlyeshme në artin shqiptar përmes roleve të tij të fuqishme dhe krejtësisht të natyrshme. Publiku do ta kujtojë gjithmonë si Milon në Shi në plazh, Tosun Baçin në Njeriu me top, tellallin te Koncert në vitin 1936 dhe plakun e sertë në Përrallë nga e kaluara. Çdo personazh i tij mbante vulën e realizmit, seriozitetit dhe përgatitjes së thellë artistike. Birçe Hasko nuk ishte thjesht një aktor i talentuar. Ai ishte një intelektual model, i ndershëm, korrekt dhe larg çdo kompromisi që binte ndesh me normat, rregullat dhe ligjin. Fjalët e tij ishin të pakta, por me peshë. Nuk kërkoi kurrë privilegje nga posti apo fama që gëzonte dhe mbeti deri në fund një njeri i thjeshtë, me shpirt të pasur dhe frymë të fortë atdhetare. Si pedagog, ai ishte shembull i disiplinës, korrektësisë dhe realizmit artistik. Besonte se aktori duhet të sillte në skenë personazhin dhe jo veten. Shpesh përsëriste:

“Kur s’je i bindur, mos e nxirr fjalën dhe mos e nis veprën.”

Në takimet dhe bisedat me të ndihej mençuria e një artisti që jetoi me dinjitet dhe që i shërbeu artit pa zhurmë, por me përkushtim absolut. Në thjeshtësinë e tij shihej intelektuali i vërtetë dhe qytetari model i çdo kohe. Ikja e Birçe Haskos lë një boshllëk të madh në kulturën shqiptare, por veprat dhe shembulli i tij do të mbeten të pavdekshme në kujtesën e publikut dhe historinë e artit shqiptar.

Disa nga filmat më të njohur të Birçe Hasko janë:

  • Shi në plazh
  • Njeriu me top
  • Koncert në vitin 1936
  • Përrallë nga e kaluara
  • Radiostacioni
  • Skëterrë ’43
  • Dita e parë e emërimit
  • Kush vdes në këmbë
  • Gurët e shtëpisë sime
  • Tri ditë nga një jetë
  • Zëvendësi i grave
  • Kthimi i ushtrisë së vdekur
  • Parullat
  • Tirana viti 0
  • I dashur armik
  • My Lake

Ai interpretoi në dhjetëra role në kinema dhe teatër, duke u bërë një nga figurat më karakteristike të ekranit shqiptar.

Kontrolloni gjithashtu

Naim Ymeri: Pavarësisht sfidave gjatë e pas luftës, RKL dha maksimumin për informim të popullatës anekënd Kosovës

Më 8 korrik shënohet përvjetori i parë i ndarjes nga jeta të veteranit të UÇK-së, Naim Ymeri

Me rastin e përvjetorit të parë të ndarjes nga jeta të veteranit të Ushtrisë Çlirimtare …