Profesori amerikan dhe njohësi i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer, ka vlerësuar se Serbia, nën udhëheqjen e presidentit Aleksandar Vuçiq, po pret një zhvillim të favorshëm gjeopolitik për të avancuar ambiciet e saj ndaj veriut të Kosovës. Në një intervistë për A2 CNN, Serwer theksoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO do të ishte garancia më e fortë për sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë të vendit. Sipas tij, edhe Shqipëria, si shtet anëtar i NATO-s, mund të luajë një rol më aktiv në mbështetjen e sigurisë së Kosovës. “Anëtarësimi në NATO do të zgjidhte shumë probleme. Kosova duhet të intensifikojë përpjekjet për t’u bërë pjesë e Aleancës sa më shpejt të jetë e mundur”, u shpreh ai. Serwer vuri në dukje se mungesa e një qeverisjeje të qëndrueshme mund të ndikojë negativisht në aspiratat euroatlantike të Kosovës, duke theksuar se NATO vështirë se do të pranonte një anëtar të ri në rrethana të tilla politike. Duke folur për synimet e Beogradit, eksperti amerikan deklaroi se Vuçiq po pret një mundësi të favorshme ndërkombëtare për të realizuar objektivat e Serbisë ndaj Kosovës. “Është e qartë se Serbia nën Vuçiq po pret një mundësi gjeopolitike për të marrë të paktën veriun e Kosovës”, tha Serwer, duke shtuar se çdo përpjekje për të kontrolluar pjesën tjetër të territorit do ta ekspozonte Serbinë ndaj një konflikti të rëndë dhe me pasoja të mëdha.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
