Në ambientet e Institutit të Kulturës së Hungarisë në Stuttgart, më 12 qershor 2026, në kuadër të shënimit të Ditës së Çlirimit të Kosovës, Instituti i Kulturës së Hungarisë dhe Instituti i Kujtesës Kombëtare Shqiptare organizuan një mbrëmje të veçantë kulturore dhe përkujtimore kushtuar jetës dhe veprës së profesor Ahmet Qeriqit.
Kjo ngjarje, e cila mblodhi diplomatë, përfaqësues institucionesh kulturore, veprimtarë të çështjes kombëtare, artdashës dhe bashkatdhetarë shqiptarë e hungarezë, tejkaloi kufijtë e një ceremonie përkujtimore. Ajo u shndërrua në një dëshmi të fuqishme se kultura, kujtesa historike dhe letërsia mbeten ura të qëndrueshme që lidhin popujt, edhe përtej kohëve dhe rrethanave historike.
Mysafire speciale e mbrëmjes ishte familja e profesor Ahmet Qeriqit, e cila solli dëshmi prekëse nga jeta dhe veprimtaria e tij shumëdimensionale.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Dr. Dezső Szabó, drejtor i Institutit të Kulturës së Hungarisë, u shpreh i mahnitur dhe thellësisht i impresionuar nga fakti se një autor shqiptar, në kushte tepër të rënda burgimi, kishte arritur të mësonte gjuhën hungareze dhe të përkthente në shqip vepra të autorit të madh hungarez Jókai Mór. të dy romaneve kushtuar figurave të rëndësishme shqiptare: Halil Patronës, udhëheqësit të kryengritjes së njohur kundër sulltanit në Stamboll më 1730, dhe Ali Pashë Tepelenës, sundimtarit të fuqishëm të Janinës, të njohur në histori si “Luani i Janinës”.
Dr. Szabó falënderoi familjen Qeriqi për dhurimin e dy fletoreve me dorëshkrime origjinale të profesorit, në cilat janë shënime mbi gramatikën e gjuhës hungareze, si dhe përkthime e poezi të autorëve të njohur hungarezë. Ai premtoi se këto materiale me vlerë të rrallë historike e kulturore do t’u përcillen institucioneve më të rëndësishme kulturore të Hungarisë, si dëshmi e një kapitulli të jashtëzakonshëm të lidhjeve shpirtërore ndërmjet dy popujve.
Konsulli i Përgjithshëm i Hungarisë në Stuttgart, Isak András, shprehu mirënjohjen e tij për këtë kontribut të çmuar në afrimin e kulturës hungareze me lexuesin shqiptar. Ai theksoi se është nder dhe kënaqësi të promovohet figura e një autori shqiptar që, me përkushtim të rrallë, ka shërbyer si ndërmjetësues kulturor ndërmjet dy kombeve.
Ndërsa Imer Lladrovci, ish-shef i Konsullatës së Kosovës, foli për marrëdhëniet historike ndërmjet shqiptarëve dhe hungarezëve, duke vlerësuar rolin e profesor Ahmet Qeriqit si patriot, intelektual dhe krijues, emri i të cilit, sipas tij, tashmë është gdhendur në galerinë e figurave të shquara të kombit shqiptar.
Arbanë Qeriqi, vajza e profesorit Ahmet, solli para të pranishmëve rrugëtimin jetësor të babait të saj: shkrimtar, publicist, studiues, veprimtar i çështjes kombëtare dhe ish-i burgosur politik, i cili as në vitet më të vështira të burgimit nuk hoqi dorë nga dija dhe krijimtaria.
Ajo kujtoi se pikërisht në Burgun e Suboticës, Ahmet Qeriqi mësoi gjuhën hungareze dhe përktheu vepra të rëndësishme të letërsisë së këtij populli, duke dëshmuar se as prangat nuk mund ta burgosin shpirtin krijues të njeriut.
Në vazhdim, vajza tjetër Antigonë Qeriqi Saliu prezantoi disa segmente të romanit historik “Guri i Betimit”, një vepër që trajton rezistencën shqiptare në Kosovën mesjetare dhe sjell një këndvështrim shqiptar mbi ngjarjet e Betejës së Kosovës të vitit 1389.
Ajo tregoi se romani, të cilin e ka përkthyer vetë në gjuhën gjermane me titullin “Der Stein des Eides”, kërkoi vite të tëra pune të palodhshme dhe u botua nga shtëpia botuese Novum Verlag më 28 Nëntor 2023. Vepra u bë e qasshme për lexuesin gjermanofolës në Gjermani, Austri dhe Zvicër, ndërsa më vonë u përkthye edhe në gjuhën angleze.
Duke folur me emocion të veçantë, ajo kujtoi se babai i saj arriti ta shihte veprën e tij të botuar në gjuhën gjermane, pak kohë para ndarjes së tij nga jeta.
“Veprat e vërteta nuk vdesin kurrë. Ato vazhdojnë të jetojnë në kohë, në kujtesë dhe në zemrat e njerëzve”, u shpreh ajo mes emocionesh.
Në fund të aktivitetit, Instituti i Kujtesës Kombëtare Shqiptare me seli në Stuttgart i ndau një Mirënjohje të veçantë Arbanë Qeriqit, në vlerësim të përkushtimit të saj në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe kombëtare të profesor Ahmet Qeriqit.
Mirënjohja iu dorëzua nga Isak András, Konsull i Përgjithshëm i Hungarisë, dhe Imer Lladrovci. Duke falënderuar për këtë nderim, Arbana Qeriqi theksoi se kjo mirënjohje ka një domethënie të veçantë për të dhe për familjen e saj, pasi përfaqëson respektin ndaj veprës dhe idealeve që profesori kishte mbrojtur gjatë gjithë jetës së tij.
Mbrëmja mori dimensione të veçanta artistike nën moderimin e Naser Vrellës, i cili interpretoi poezi nga Ndre Mjeda dhe autorja Ilirjana Baraliu Lladrovci, duke krijuar një atmosferë reflektimi dhe ndjeshmërie.
Programi artistik u pasurua më tej nga interpretimet e sopranos Delina Hajra Gashi dhe pianistes Adelina Ushaku Hashani, të cilat sollën për publikun vepra të Johannes Brahms, Robert Schumann, Franz Schubert dhe kompozitorit shqiptar Simon Gjoni. Tingujt e muzikës klasike u shkrinë natyrshëm me frymën e kësaj mbrëmjeje, duke dëshmuar se arti mbetet gjuha më universale e komunikimit ndërmjet popujve.
Një moment po aq i veçantë dhe simbolik i kësaj mbrëmjeje ishte edhe ndarja e dhuratave të mirënjohjes nga familja Qeriqi për personalitetet që kanë kontribuar në organizimin e këtij aktiviteti dhe në ruajtjen e lidhjeve kulturore ndërmjet dy popujve. Në emër të familjes, Epiri Qeriqi, djali i profesor Ahmet Qeriqit, u dorëzoi dhurata Dr. Dr. Dezső Szabó, drejtor i Institutit të Kulturës së Hungarisë, Isak András, Konsull i Përgjithshëm i Hungarisë në Stuttgart, Imer Lladrovci, ish-shef i Konsullatës së Kosovës, si dhe Ylber Gegës djalit të atdhetarit Hysen Gega, në shenjë falënderimi për përkushtimin, mbështetjen dhe respektin e treguar ndaj veprës dhe trashëgimisë së profesor Ahmet Qeriqit. Ky gjest i ngrohtë familjar u prit me emocione nga të pranishmit, duke dëshmuar se mirënjohja dhe respekti reciprok mbeten vlera që forcojnë miqësinë dhe bashkëpunimin ndërmjet njerëzve dhe institucioneve.
Në përmbyllje, të ftuarit u bashkuan në një koktej me ushqime tradicionale shqiptare, si simbol i mikpritjes dhe shpirtit bujar shqiptar.
Kjo mbrëmje kulturore dëshmoi se marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe hungarezëve nuk mbështeten vetëm në kujtesën e përbashkët historike, por edhe në vlerat universale të kulturës, dijes dhe respektit të ndërsjellë.
Figura e profesor Ahmet Qeriqit u shfaq si simbol i kësaj ure miqësie: një njeri që, edhe në rrethanat më të vështira të jetës, besoi në fuqinë e fjalës, të përkthimit dhe të kulturës për të afruar njerëzit dhe për të ruajtur identitetin e tyre.
Kjo mbrëmje nuk ishte vetëm një homazh për profesor Ahmet Qeriqin. Ajo ishte një nderim për fuqinë e kulturës për të mbijetuar përballë padrejtësive, për të ruajtur kujtesën dhe për të ndërtuar ura miqësie që u shërbejnë brezave që vijnë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
