Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ka refuzuar si të pabazuara ankesat e kandidatëve për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Bekim Haxhiu dhe Qëndrim Kryeziu, të cilët kërkonin rinumërimin e plotë të votave preferenciale të kandidatëve të këtij subjekti politik. Sipas dy vendimeve të PZAP-së, pretendimet e kandidatëve nuk janë mbështetur me prova konkrete që do të dëshmonin parregullsi sistematike në procesin e numërimit, ndërsa ndryshimet e evidentuara gjatë rinumërimit të 185 vendvotimeve nuk cenojnë integritetin e përgjithshëm të procesit zgjedhor. Në rastin e Bekim Haxhiut, PZAP theksoi se rinumërimi i 185 vendvotimeve ishte pjesë e mekanizmit të kontrollit të paraparë me legjislacionin zgjedhor dhe jo rezultat i konstatimit të parregullsive. Paneli vlerësoi se ankuesi nuk ka identifikuar vendvotime konkrete ku dyshohet për shkelje dhe nuk ka paraqitur prova materiale që do të mbështesnin kërkesën e tij. Sipas vendimit, pretendimet se mund të ketë gabime edhe në vendvotimet e tjera mbeten në nivel supozimi dhe nuk përbëjnë bazë ligjore për urdhërimin e një rinumërimi të përgjithshëm. Edhe ankesa e Qëndrim Kryeziut u refuzua me arsyetimin se rezultatet e rinumërimit nuk kanë evidentuar ndonjë model sistematik të pasaktësive. Paneli theksoi se një masë e jashtëzakonshme, si rinumërimi i plotë i votave preferenciale në nivel vendi, mund të urdhërohet vetëm nëse ekzistojnë prova objektive se rezultati zgjedhor është cenuar seriozisht.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
