Kosova kërkon qasje në arkivat ushtarake serbe dhe rifillimin e gërmimeve në Batajnicë për zbardhjen e fatit të të zhdukurve

Kosova do të kërkojë qasje në dokumentet e klasifikuara të Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë së Serbisë dhe rikthimin e gërmimeve në Batajnicë, në kuadër të punës së Komisionit të Përbashkët për Persona të Zhdukur mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Sipas autoriteteve kosovare, këto dy kërkesa përbëjnë një test të rëndësishëm për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur, të nënshkruar në vitin 2023, e cila parasheh edhe qasjen në arkivat përkatëse. Kreu i Njësisë për Persona të Zhdukur  Kushtrim Gara, tha se qasja në arkivat e Brigadës së 37-të do të ndihmonte në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur nga masakrat e kryera në zonën e Drenicës, në kohën kur kjo brigadë komandohej nga gjenerali Lubisha Dikoviq. Ai bëri të ditur se shumë prej viktimave të masakrave në Rezallë, Çikatovë të Vjetër dhe Zabel të Ulët janë gjetur më vonë në varreza masive në Rashkë, ndërsa riklasifikimi i dokumenteve të brigadës në vitin 2014 ka penguar qasjen në të dhëna të rëndësishme. Gara tha gjithashtu se Kosova po kërkon rifillimin e gërmimeve në Batajnicë, pasi informacionet e reja sugjerojnë se pranë poligonit ushtarak të stërvitjes mund të ndodhen mbetjet mortore të 58 personave të zhdukur. Ndërmjet viteve 2001 dhe 2002, në Batajnicë u zbuluan mbetjet mortore të 744 viktimave të luftës, të varrosura në nëntë varreza masive pranë një poligoni ushtarak, qindra kilometra larg vendit ku ishin vrarë. Ndërkohë, Zyra e Përfaqësuesit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, ka bërë të ditur se BE-ja u kërkon të dyja palëve bashkëpunim dhe angazhim të plotë për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur.

Kontrolloni gjithashtu

Zafir Berisha: Nga bllokimi i projektit “Kosova e Re” përfituan Serbia dhe mafia energjetike

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Zafir Berisha, ka reaguar ndaj protestave në Shqipëri kundër një …