Fatmir Z. Arifi: Enciklopedia Shqiptare nuk mund të shkruhet mbi “harresën” selektive

Dy akademitë shqiptare kanë marrë përsipër hartimin e Enciklopedisë Shqiptare, një vepër që duhet të përfaqësojë kujtesën historike të kombit shqiptar.
Pikërisht për këtë arsye, çdo përjashtim i qëllimshëm ose selektiv i një pjese të historisë përbën jo vetëm një mangësi shkencore, por edhe një padrejtësi kombëtare.
Nëse është e vërtetë se në këtë enciklopedi nuk janë përfshirë organizatat e fshehta me karakter çlirimtar dhe antijugosllav, si edhe drejtuesit e veprimtarët e tyre, atëherë kemi të bëjmë me një deformim serioz të historisë së rezistencës shqiptare.
Që nga viti 1945, në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare të mbetura jashtë kufijve të Shqipërisë së vitit 1913, breza të tërë shqiptarësh u burgosën, u përndoqën, u vranë dhe u flijuan për idealin e lirisë dhe të bashkimit kombëtar.
Fshirja e tyre nga kujtesa institucionale nuk e ndryshon historinë, por e varfëron atë.
Po aq shqetësues do të ishte fakti nëse enciklopedia do t’u kushtonte hapësirë të gjerë figurave që mbështetën ose legjitimuan doktrinën e “bashkim-vëllazërimit” jugosllav, ndërsa do të linte jashtë ata që e kundërshtuan atë me sakrificë dhe qëndresë.
Një enciklopedi kombëtare nuk mund të shndërrohet në vazhdimësi të narrativave ideologjike të së kaluarës, por duhet të mbështetet mbi të vërtetën historike dhe mbi pluralitetin e burimeve.
Republika e Kosovës nuk duhet të lejojë që, përmes institucioneve të saj ose me miratimin e tyre, të rehabilitohen narrativat e sistemit jugosllav, ndërsa të margjinalizohen ata që luftuan kundër tij.
Një popull që nuk i respekton të gjithë dëshmorët, heronjtë dhe veprimtarët e vet rrezikon të humbasë busullën e kujtesës historike.
Prandaj, është koha që akademikët, historianët, institucionet dhe opinioni publik të kërkojnë një rishikim të kujdesshëm të këtij projekti.
Enciklopedia Shqiptare duhet të jetë enciklopedia e gjithë historisë së shqiptarëve, jo vetëm e një pjese të saj.

Kontrolloni gjithashtu

Isuf Ismaili: Në Ungër jetësia arbëreshe merr krah e përhap jehonë

Hyrje Në katundin Ungër, çdo vit organizohet një manifestim i madh kulturor e përkujtimor kushtuar …