Bedri Halimi: PËRSE VAZHDON LUFTA KUNDËR VITIT 1981? III

Pse historia vazhdon t’i shqetësojë kundërshtarët e vitit 1981?
Në histori ka ngjarje që, edhe pasi përfundojnë, vazhdojnë të jetojnë në ndërgjegjen e një populli. Ato nuk mbeten vetëm pjesë e së kaluarës, por shndërrohen në pika referimi për të tashmen dhe për të ardhmen. Pikërisht për këtë arsye, për to nuk zhvillohet vetëm një debat historik, por edhe një betejë e vazhdueshme për interpretim.
Ngjarjet e vitit 1981 janë një prej këtyre rasteve.
Në shikim të parë, mund të duket paradoksale që, pas më shumë se katër dekadash, ende shkruhen artikuj, jepen intervista dhe ndërtohen teori për të dëshmuar se ato demonstrata qenë të panevojshme, të dëmshme ose të manipuluara. Nëse historia tashmë e ka dhënë verdiktin e saj, përse vazhdon kjo nevojë për t’i rikthyer në bankën e të akuzuarve studentët, organizatat ilegale dhe kërkesën “Kosova Republikë”?
Përgjigjja nuk duhet kërkuar vetëm te ngjarjet e vitit 1981. Ajo duhet kërkuar te pesha që ato ngjarje kanë fituar në historinë kombëtare.
Sa më e madhe të jetë rëndësia historike e një ngjarjeje, aq më e madhe bëhet edhe përpjekja për ta interpretuar atë sipas interesave të ndryshme politike ose ideologjike. Historia nuk shqetëson askënd për atë që ka qenë e parëndësishme. Debatet e mëdha lindin vetëm rreth ngjarjeve që kanë ndryshuar drejtimin e proceseve historike.
Në këtë kuptim, fakti që viti 1981 vazhdon të jetë objekt polemikash nuk është shenjë dobësie e asaj lëvizjeje. Përkundrazi, është dëshmi e peshës së saj historike.
Po çfarë e bën vitin 1981 kaq të rëndësishëm?
Së pari, demonstratat e vitit 1981 e shndërruan kërkesën “Kosova Republikë” nga një platformë e organizatave tw fshehta në një kërkesë të artikuluar publikisht nga mijëra qytetarë. Që nga ai moment, kjo kërkesë nuk mund të fshihej më pas dyerve të burgjeve, as të eliminohej me procese gjyqësore. Ajo kishte hyrë në vetëdijen kolektive të shqiptarëve.
Së dyti, ato demonstrata krijuan një brez të tërë veprimtarësh politikë, intelektualësh dhe atdhetarësh, të cilët do të bartnin mbi supe proceset vendimtare të viteve në vijim. Burgjet jugosllave, në vend që ta shuanin këtë brez, paradoksalisht u shndërruan në një shkollë të rezistencës politike.
Së treti, viti 1981 e detyroi edhe faktorin ndërkombëtar të kuptonte se çështja shqiptare në Jugosllavi nuk ishte një problem administrativ, por një çështje politike e pazgjidhur.
Nëse këto pasoja janë reale, atëherë lind pyetja logjike: përse vazhdon përpjekja për t’ua mohuar rëndësinë?
Një pjesë e përgjigjes mund të lidhet me biografitë politike.
Historia është shpesh e pamëshirshme ndaj atyre që në momentet vendimtare kanë mbajtur qëndrime të cilat më vonë janë përgënjeshtruar nga vetë zhvillimet historike. Kur historia e rrëzon një interpretim, lind tundimi për ta rishkruar historinë, në vend që të rishikohet qëndrimi i dikurshëm.
Pranimi se demonstratat e vitit 1981 ishin një kthesë historike do të nënkuptonte, njëherazi, pranimin se ata që i dënuan ato kishin gabuar në vlerësimin e tyre politik. Jo të gjithë janë të gatshëm ta bëjnë një ballafaqim të tillë me të kaluarën e vet.
Por nuk është vetëm kjo.
Ekziston edhe një dimension tjetër.
Nëse pranohet se kërkesa “Kosova Republikë” ishte historikisht e drejtë, atëherë bie vetvetiu edhe pretendimi se autonomia e asaj kohe përbënte zgjidhjen optimale për shqiptarët e Kosovës. Pikërisht për këtë arsye, debati mbi vitin 1981 është njëherazi debat edhe mbi natyrën e autonomisë jugosllave, mbi kufijtë e saj realë dhe mbi aftësinë ose paaftësinë e saj për ta zgjidhur çështjen shqiptare.
Nga kjo pikëpamje, polemika nuk zhvillohet vetëm për një ngjarje. Ajo zhvillohet për të gjithë filozofinë politike që përfaqësonte ajo ngjarje.
Po kështu, nuk duhet nënvlerësuar as një fenomen tjetër: nevoja që disa qarqe intelektuale të paraqiten si bartëse të një interpretimi “të ri”, “më racional” ose “më objektiv”. Në këtë përpjekje, shpesh krijohet përshtypja se çdo sfidim i narrativës kombëtare përbën domosdoshmërisht një akt guximi intelektual. Por origjinaliteti nuk qëndron te kundërshtimi për hir të kundërshtimit. Një tezë nuk bëhet më e vërtetë vetëm pse është më provokuese. Ajo duhet të mbështetet mbi fakte, dokumente dhe një analizë të qëndrueshme.
Historia nuk është laborator për eksperimente retorike. Ajo është fushë e përgjegjësisë shkencore.
Prandaj, sa herë që ngrihen teza të reja për vitin 1981, pyetja e parë nuk duhet të jetë se sa tërheqëse tingëllojnë ato, por se çfarë provash sjellin. Nëse mungojnë faktet dhe zëvendësohen me supozime, insinuata ose teori konspirative, atëherë nuk kemi të bëjmë me rishikim të historisë, por me një përpjekje për ta relativizuar atë.
Në fund, ndoshta përgjigjja më e thjeshtë është edhe më bindësja.
Viti 1981 vazhdon të shqetësojë kundërshtarët e tij sepse nuk mbeti një episod kalimtar. Ai u shndërrua në fillimin e një procesi historik që nuk u ndal më. Nga demonstratat studentore te rezistenca politike, nga rezistenca politike te lufta çlirimtare, e prej saj te shteti i Kosovës, ekziston një vazhdimësi historike që është e vështirë të mohohet.
Prandaj edhe beteja për vitin 1981 nuk është betejë për të kaluarën. Është betejë për mënyrën se si kuptohet rruga që çoi deri te liria dhe shtetësia e Kosovës. Kush arrin ta ndryshojë interpretimin e pikënisjes, përpiqet të ndryshojë edhe kuptimin e gjithë rrugëtimit historik.
Kjo është arsyeja pse polemikat për vitin 1981 nuk kanë pushuar. Dhe kjo është arsyeja pse ato, me shumë gjasë, do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Jo sepse historia nuk ka folur, por sepse disa ende nuk janë pajtuar me verdiktin e saj.
Vazhdon..

Kontrolloni gjithashtu

Prof.dr. Sabile Keçmezi-Basha: NJË LIBËR ME DËSHMI TË SHUMTA INDIVIDUALE DHE VLERA SHKENCORE

Prof.dr. Sabile Keçmezi- Basha: JATAKËT DHE BUNKERËT E CAFO BEG ULQINIT (44)

Bunkeri në zemrën e shtëpisë Me kalimin e kohës, thirrjet për likuidimin e Cafo Beg …