Frank Shkreli

Frank Shkreli: TURPI I NJË DEKLARATE QË SFIDON TË VËRTETËN HISTORIKE

Ka deklarata politike që duhen kundërshtuar. Ka edhe të tjera që duhen dënuar pa asnjë dyshim as vonesë. Fjala është për deklaratën e ministres serbe, Snezhana Paunoviq, e cila tha se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.
Kur zyrtarë të Beogradit flasin për “spastrim etnik”, në Kosovë, ata nuk mund t’i ikin hijes së së kaluarës. Pikërisht regjimi i Slobodan Millosheviçit zhvilloi në Kosovë një fushatë dhune  terrori shtetëror që detyroi qindra mijëra shqiptarë të largoheshin nga shtëpitë e tyre, shkatërroi qindra fshatra dhe la pas mijëra të vrarë e të zhdukur. Këto nuk janë pretendime politike. Janë fakte të dokumentuara nga organizatat ndërkombëtare, nga dëshmitë e panumërta dhe nga proceset gjyqësore ndërkombëtare.
Prandaj, kur sot një ministre serbe përdor të njëjtin term kundër Kosovës, ajo nuk po mbron të drejtat e askujt. Ajo po përpiqet të relativizojë krimet e së kaluarës, të zëvendësojë viktimën me agresorin dhe të ndërtojë një narrativë që nuk i reziston as historisë, as fakteve. Edhe më shqetsues do të ishte normalizimi i përdorimit të kësaj gjuhe nga Beogradi zyrtar. Historikisht, Ballkani e ka paguar shtrenjt çmimin e urrejtjes së institucionalizuar në atë rajon.  Shqetësuese është edhe heshtja ose reagimi i vakët i një pjese të bashkësisë ndërkombëtare. Ballkani ka paguar një çmim të tmerrshëm për gjuhën e urrejtjes dhe për propagandën nacionaliste gjatë dekadave. Në një Evropë që ka ndërtuar paqen mbi mësimet e tragjedive të shekullit XX, përdorimi i terminologjisë së spastrimit etnik për qëllime propagandistike është i papranueshëm. Kjo nuk është retorikë politike e zakonshme; është një përpjekje për të shtrembëruar historinë, për të viktimizuar agresorin dhe për të nxitur tensione të reja në një rajon që ende mban plagët e luftës së fund shekullit të kaluar.
Pikërisht për këtë arsye, çdo deklaratë që ringjall fantazmat e viteve ’90 duhet të marrë përgjigjen e merituar. Jo me fjalë të një diplomacie të zbehtë, por me qartësi morale dhe politike.  Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët ndërkombëtarë nuk duhet ta relativizojnë një gjuhë të tillë nga një ministre e qeverisë së Beogradit.
Heshtja përballë deklaratave që aludojnë ose paralajmërojnë spastrim etnik rrezikon të normalizojë një diskurs që Evropa është betuar të mos e tolerojë më kurrë.  Paqja ndërtohet mbi të vërtetën, përgjegjësinë dhe respektin për dinjitetin njerëzor. Kush përdor gjuhën e spastrimit etnik si armë propagandistike nuk i shërben as popullit të vet, as stabilitetit të rajonit. Përkundrazi, ai i hap rrugë mosbesimit, urrejtjes dhe izolimit ndërkombëtar.  Historia e Ballkanit na ka mësuar një mësim të hidhur se fjalët e papërgjegjshme shpesh u paraprijnë veprave tragjike. Prandaj, ato duhet të dënohen me vendosmëri, pa vonesë dhe pa standarde të dyfishta.
Reagimi i Tiranës zyrtare: Prandaj, përballë një deklarate kaq të rëndë dhe provokuese nga një ministre e qeverisë socialiste serbe, heshtja e Tiranës zyrtare nuk do të ishte as e justifikueshme dhe as në përputhje me përgjegjësinë e saj politike e kombëtare në rajon. Shqipëria duhej të reagonte menjëherë, duke dënuar pa vonesë dhe pa dyshim retorikën serbe si një përpjekje për të shtrembëruar të vërtetën historike, për të diskredituar shtetin e Kosovës dhe për të minuar dialogun në rajon. Njëkohësisht, Tirana duhej t’u bënte thirrje Bashkimit Evropian dhe partnerëve euroatlantikë që të mos tolerojnë gjuhën e provokimit dhe të kërkojnë nga Beogradi zyrtar përgjegjësi politike, sepse paqja nuk mund të ndërtohet mbi propagandën, as pajtimi mbi falsifikimin e historisë.  Serbia nuk mund të pretendojë se synon integrimin evropian, ndërsa njëkohësisht lejon përfaqësuesit e saj të përdorin një retorikë që bie ndesh me vlerat mbi të cilat është ndërtuar Evropa e pasluftës. Serbia nuk mund të kërkojë besim ndërkombëtar duke ushqyer mosbesim rajonal dhe konflikte. Nuk mund të ndërtosh paqe duke ricikluar propagandën dhe duke hedhur në veprim industrinë e mohimit të krimeve në Kosovë.  Ka ardhur koha që Beogradi zyrtar të heqë dorë nga politika e viktimizimit artificial dhe të përballet, ndershmërisht, me të kaluarën e vet kriminale ndaj shqiptarëve të Kosovës.  Vetëm atëherë, dialogu do të ketë kuptim dhe e ardhmja do të ndërtohej mbi besimin e ndërsjellt.
Kosova nuk ka nevojë t’i përgjigjet kësaj gjuhe provokuese me të njëjtën monedhë. Përgjigjja më e fortë që Kosova mund t’i japë është shteti ligjor, mbrojtja e të drejtave të çdo qytetari dhe besimi te faktet. Por kjo nuk do të thotë heshtje përballë shpifjeve.  Historia nuk mund të fshihet me një konferencë shtypi. As nuk mund të rishkruhet me deklarata ministrore. Kush përdor termin “spastrim etnik” si armë propagandistike, jo vetëm që fyen kujtesën e viktimave, por rrezikon paqen dhe stabilitetin e gjithë rajonit.
Ballkani nuk ka nevojë për më shumë gënjeshtra historike. Ka nevojë për përgjegjësi, për të vërtetën dhe për guximin për t’u përballur me të kaluarën. Deri atëherë, çdo deklaratë e tillë do të mbetet ajo që është: një akt i papërgjegjshëm politik, një provokim i qëllimshëm dhe një përpjekje e dëshpëruar për ta kthyer propagandën në zëvendësuese të së vërtetës.

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Halimi: NUK DUHET TË PËRZIHEMI NË PUNËT E SHQIPËRISË

NUK DUHET TË PËRZIHEMI NË PUNËT E SHQIPËRISË  Një kujtesë për ata që ngatërrojnë detyrimin …