Koncert madhështor në Kastriot me moton “Mirë se erdhët, bashkatdhetarë” – mbrëmje artistike kushtuar diasporës dhe kulturës shqiptare

Në një atmosferë festive dhe plot emocion, Ansambli i Qytetit në Kastriot hapi koncertin tradicional me moton “Mirë se erdhët, bashkatdhetarë”, duke u uruar mirëseardhje mërgimtarëve që kanë ardhur për pushime në vendlindje. Aktiviteti kulturor mblodhi qindra artdashës në Sallën e Kulturës “Xhavit Haziri”, e cila ishte e mbushur në çdo ulëse, duke dëshmuar interesimin e madh për artin dhe trashëgiminë kulturore shqiptare.

Koncerti u mbajt nën patronatin e kryetarit të Komunës së Kastriotit, Halil Thaçi, dhe me mbështetjen e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, të cilët kanë vazhduar të mbështesin organizimin e aktiviteteve që promovojnë kulturën, traditën dhe identitetin kombëtar.

Programi artistik u hap nga Ansambli i Qytetit, i cili solli një repertor të pasur me valle popullore dhe folklorike burimore nga treva të ndryshme shqiptare. Interpretimet u pritën me duartrokitje të gjata nga publiku, duke krijuar një atmosferë të veçantë festive.

Një nga emrat kryesorë të mbrëmjes ishte këngëtarja e mirënjohur Hajrije Preniqi Gashi, e cila interpretoi këngë të përzgjedhura nga krijimtaria e saj artistike dhe u mirëprit ngrohtësisht nga publiku. Në skenë u ngjit edhe këngëtari Hysni Klinaku, i cili solli interpretime të muzikës patriotike dhe popullore, duke pasuruar programin artistik.

Mbrëmja u moderua nga këngëtari i njohur Naim Abazi, i cili, përveç rolit të moderatorit, interpretoi edhe disa këngë, duke i dhënë koncertit një ritëm të veçantë dhe duke mbajtur të gjallë komunikimin me publikun gjatë gjithë programit.

Koncerti mori një dimension të veçantë edhe me praninë e familjarëve të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, si dhe të familjes së luftëtarit të lirisë Salih Mustafa, të cilët u mirëpritën me respekt nga organizatorët dhe të pranishmit.

Një moment i rëndësishëm i mbrëmjes ishte ceremonia e ndarjes së Mirënjohjes për këngëtaren Hajrije Preniqi Gashi. Z. Rexhep Abazi ndau mirënjohjen “Nderi i Diasporës Shqiptare”, të akorduar nga Parlamenti Paqësor i Kombit Shqiptar, me seli në Gjermani. Mirënjohja ishte nga z Can Tahirit, si vlerësim për kontributin muzikor.

Pas pranimit të Mirënjohjes, këngëtarja Hajrije Preniqi Gashi interpretoi për herë të parë këngën premierë kushtuar heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Interpretimi u prit me emocione dhe duartrokitje të gjata nga publiku, duke përmbyllur një nga momentet më kulmore të koncertit.

Koncerti “Mirë se erdhët, bashkatdhetarë” u shndërrua në një festë të kulturës, traditës dhe identitetit shqiptar, duke bashkuar artistë, qytetarë dhe bashkatdhetarë në një mbrëmje që përcolli mesazhe për trashëgiminë kulturore dhe mirënjohjeje për kontributin e diasporës shqiptare.

Kontrolloni gjithashtu

Prof.dr. Sabile Keçmezi- Basha: AHMET QERIQI DHE KRONIKA E QËNDRESËS SHQIPTARE

Prof.dr. Sabile Keçmezi – Basha: AHMET QERIQI DHE KRONIKA E QËNDRESËS SHQIPTARE

(Ahmet Qeriqi “BURGU” (Roman), botoi RADIO-KOSOVA E LIRË, Prishtinë, 2004) Teksa po përgatitja një shkrim …