Prokuroria serbe: BIA refuzon t’i përgjigjet kërkesës për intervistimin e Vuçiqit dhe ish-krerëve të Sigurimit për rastin “Panda”

Prokuroria për Krimin e Organizuar në Serbi ka bërë të ditur se Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë  nuk u është përgjigjur kërkesave për zhvillimin e bisedave me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si dhe me ish-drejtuesit e Sigurimit të Shtetit, Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviq, në kuadër të hetimeve për vrasjen e gjashtë të rinjve serbë në kafenenë “Panda” në Pejë në vitin 1998. Sipas përgjigjes së Prokurorisë për Radion Evropa e Lirë, kërkesat drejtuar BIA-s synonin të verifikonin nëse personat e propozuar posedojnë njohuri që mund të jenë të rëndësishme për hetimin. “Për këtë qëllim, në disa raste i kemi kërkuar BIA-s të zhvillojë biseda me personat e përmendur lidhur me rrethanat që janë të rëndësishme për hetimin. Megjithatë, deri më tani nuk kemi marrë përgjigje ndaj këtyre kërkesave”, thuhet në reagimin e Prokurorisë. Sipas Ivan Niniq avokati i familjeve të viktimave,  intervistimi i ish-krerëve të Sigurimit është propozuar për të verifikuar dëshmi indirekte që lidhen me dijeninë e mundshme të Franko Simatoviqit për ngjarjen, ndërsa dëshmia e Aleksandar Vuçiqit është kërkuar pasi ai ka deklaruar publikisht disa herë se posedon informacione për rastin “Panda”. Hetimet për rastin “Panda”, të nisura në vitin 2016, vazhdojnë ende. Sipas Prokurorisë serbe, procedura nuk ka përfunduar pasi nuk janë siguruar prova të mjaftueshme për të krijuar dyshimin e bazuar mbi autorët e vrasjes së gjashtë të rinjve serbë në Pejë më 14 dhjetor 1998.

Kontrolloni gjithashtu

Edi Rama: Nuk jap dorëheqje se e kërkon një pakicë, mandatin ma ka dhënë populli

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se Partia Socialiste nuk do të largohet nga …